Biznesmeni Nikolin Janina ka përfunduar ditën e sotme në prangat e policisë në Tiranë. Autoritetet spanjolle i ishin vënë në ndjekje pasi Janina drejtonte një grup kriminal në Madrid që merrej me trafik të drogave të forta në shtetet e tjera europiane.
Mësohet se Janina trafikonte heroinë, morfinë e opium në vendet e BE-së. Tashmë Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, ka nisur procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
Në kuadër të këtij grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga biznesmeni i pllakave dhe hidrosanitareve, policia dhe prokuroria Spanjolle, ka sekuestruar një sasi prej 53 kg e 380 gramë heroinë.
Kujtojmë se 56-vjeçari ishte nën fokusin e hetimeve në nëntor të 2017 për pasurinë e tij nga Prokuroria e Krimeve të rënda. Më pas u vendos që pronat e tij me vlerë 4 milionë euro të sekuestroheshin pasi të ardhurat e tij nuk i justifikonin.
Të gjitha pronat dhe pasuritë në emër të Nikolin Janinës si dhe kompani tregtare në emër të tij, u vendosën të sekuestrohen nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Që para 5 vitesh biznesmeni u hetua duke marrë parasysh dhe të kaluarën e tij kriminale në Spanjë dhe mënyrën si kishte vendosur pasurinë, pasi në 2015 autoritetet spanjolle kanë marrë një vendim për caktimin e masës së “arrestit në burg” ndaj Janinës, duke e akuzuar këtë të fundit për akuzën e “Pjesëmarjes në grupe kriminale të trafikimit të narkotikëve”.
(E.D/faxweb.al)