Fax News mëson detaje të reja nga operacioni ‘shpirti’, në sajë të të cilit janë lëshuar 38 urdhër arreste, në mesin e të cilëve dhe zyrtarë të lartë të prokurorisë dhe Policisë shqiptare.
Burime bëjnë me dije se janë kryer kontrolle në disa qytete të ndryshme të vendit, dhe janë ekzekutuar masat e ndalimit për dhjetra persona, me urdhër të SPAK në bashkëpunim me antimafian italiane.
Në mesin e të arrestuave është prokurori i Vlorës, Maksim Sota, i cili do të mbahet nën masën e arrestit të shtëpisë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në të njëjtën masë të arrestit të shtëpisë do të jetë dhe shefi i sektorit të trafiqeve në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit, Ilirjan Balla, i cili po ashtu akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre.
Ndërkohë që në mesin e personave që janë hetuar gjatë këtij operacioni është dhe ish-oficeri i policisë së Vlorës, Festim Lelaj, i cili gjendet nën masën e arrestit, dhe prokuroria ka kërkuar ndaj tij 17 vite burg, po për trafik droge.
Një tjetër zyrtar që ka dalë në përgjime është edhe Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Bashkinë Kavajë, ndërkohë që pritet dhe dalja zyrtare e Arben Krajës, për të dhënë më shumë detaje rreth këtij operacioni.
Mes personave të arrestuar bëjnë me dije burimet është dhe zëvendësdrejtori i policisë së Vlorës.
Mësohet se grupi i goditur merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës, dhe dyshohet se lënda narkotike që ata kanë trafikuar kap shifrën e 40 milionë eurove.
Të tjera detaje janë bërë publike në herët në lidhje me operacionin ndërkombëtar të drogës, të zhvilluar në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë, ku u godit rrjeti i trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali.
Nga hetuesit shqiptarë dhe ata italiane behet e ditur se është zbuluar një rrjet i drogës në të gjithë hallkat e zinxhirit të tij. Hetimet janë thelluar më tej edhe në pastrimin e parave, ndërkohë që janë sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro.
Janë pesë punonjës policie dhe 1 prokuror mes personave të arrestuar nga operacioni ndërkombëtar kundër një grupi kriminal të dyshuar për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash e trafik ndërkombëtar të sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike.
Në total janë lëshuar 38 urdhër arreste, 10 prej të cilëve janë arrestuar më parë dhe ata ndodhen në Itali. Ndërkohë edhe personat e arrestuar në Mal të Zi dhe në Spanjë janë kryesisht shqiptarë.
Të dhëna më të hollësishme mbi operacionin, do të jepen gjatë konferencës me shtypin që do të bëhet sot në Tiranë në orën 10:30, ku do të marrin pjesë dr. Cafiero DE RAHO – Prokuror kombëtar i Anti-mafias e Anti-terrorizmit, Arben Kraja – Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin e Krimit të Organizuar, dr. Filippo SPIEZIA – Zëvëndës President e pjestar për palën e Italisë në Eurojust, dr. Roberto ROSSI – Kryeprokuror i Republikës në Bari dhe zoti Maurizio VALLONE – Drejtori i Pergjithshem i DIA-s Ardi Veliu Drejtori i Përgjithshëm i Policise Shqiptare.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Autoritetet Shqiptare dhe Drejtoria e Antimafia-s së Barit, me ndihmën e Zyrës Ndërlidhëse të Forcave të Përbashkëta të Tiranës dhe të Policisë Shqiptare, Agjensite e tjera ligjzbatuese, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore, po zbatojnë në Shqipëri dhe në Itali, me vendim të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, e të DDA-së të Barit, – me koordimin e Eurojust-it (Hage) – i drejtuar nga antari kombëtar i palës italiane, një vendim mase sigurie të dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilën ka urdhëruar arrestimin e 38 personave të konsideruar përgjegjës për korrupsion, shperdorim detyre, pastrim parash e trafik ndërkombëtar të sasive të konsiderueshme të lëndeve narkotike. Po zbatohen gjithashtu vendimet e sekuestrimit për pasuri të luajteshme, te paluajteshme dhe aktivitete tregtare, ne vlere disa milion euro.
Ekzekutimi i operacionit ndërkombëtar është bërë i mundur, sidomos, falë Skuadrës së Përbashkët Hetimore, mjet i kooperimit gjyqësor i krijuar mes D.D.A-së së Barit, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin e Krimit të Organizuar në Tiranë dhe Eurojust-it (Organizëm që mbështet kooperimin gjyqësor dhe luftën kundër formave të rënda të kriminalitetit transnacional), i cili i ka dhënë mundësinë personelit të DIA-s së Barit dhe Autoriteteve Shqiptare, Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë së Shtetit të zgjerojnë hetimet, duke u mbështetur në rolin thelbesor të koordimit të siguruar nga Drejtoria Kombëtare e Anti-mafias e Anti-terrorizmit.
Masat e sigurisë janë dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuader te Operacionit SHPIRTI, në lidhje me hetimet e bëra nga muaji Maj 2019 deri në Janar 2021, që kanë bërë të mundur të mblidhen të dhëna te rendesishme ndaj 38 shtetasve shqiptar, pjestar të katër grupeve të fuqishme kriminale të organizuara, vepruese nga viti 2014 deri ne vitin 2017, në Shqipëri dhe në kontakt me organizatat kriminale bareze, në gjëndje të dërgonin në Evropë – duke zbarkuar në Puglia – sasi të konsiderueshme lënde narkotike.
Autoritetet Shqiptare dhe DIA, gjatë hetimeve të mëparëshme bërë në Shqipëri në kuadër të operacioneve SHEFI dhe KULMI në mars të vitit 2018 e në qërshor të vitit 2020, kanë rindërtuar, edhe me ndihmën e deklaratave të katër bashkëpuntorëve të drejtësisë, të dhëna për shkelje të ligjit dhe veprime korruptive te kryera nga zyrtar publik shqiptar, pastrim parash, po ashtu të gjithë “zinxhirin e prodhimit” të lëndës narkotike, që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe trafikimi në drejtim të brigjeve pugliese me mjete lundruese të fuqishme.
Një e re absolute e këtij hetimi është kontributi i çmuar i bashkëpuntorëve të drejtësisë, të gjithë shtetas shqiptar, deklaratat e të cileve, në lidhje me krimet e kryera në Shqipëri dhe në Itali, janë mbledhur në Bari nga prokurorët e D.D.A-së lokale e të SPAK-ut të Tiranës e pasi janë verifikuar përkatësisht, janë përdorur – në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore – në procedimin penal shqiptar.
Masat e sigurisë të dhëna nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, te zbatuara ne Shqiperi, Itali, Mali i Zi dhe Spanjë, plotesojnë kuadrin hetimor – të pasurive e masave te sigurimit personal – të bëra në Shqipëri nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar edhe ne lidhje me fenomenet e korrupsionit e shperdorimit te detyrës që i përkasin zyrtarëve publik – kryesisht pjestar të forcave të policisë shqiptare – të cilët kanë garantuar që “zinxhiri i prodhimit” të lëndës narkotike të mos ndëpritej kurrë.
Në veçanti, masat e sigurisë personale janë ekzekutuar, (përveç 10 shtetasve që janë arrestuar më parë në kuadër të operacionit Kulmi) edhe per një administrator publik (drejtor), nje prokuror, tre zyrtar të larte te policisë e dy punonjes te tjere policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 – me detyrën e pjestarëve të grupit te shoqerimit të ish – Ministrit të Brendshëm. Zyrtarët publik, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë.
Masat parandaluese të pasurive dhe konkretisht sekuestro preventive që i përkasin sekuestrimit të pasurive të luajtëshme dhe të paluajtëshme, si apartamente, troje, restorante, njesi tregtare, (12 pasuri te paluajteshme), 4 (kater) shoqeri tregtare bashke me asetet e tyre dhe disa automjete, te cilat arrijne ne vleren e disa miliona euro.
Operacionet Shefi e Kulmi, gjithmonë të kryera në Itali e në Shqipëri në kuadër të Skuadrës së përbashkët hetimore, të përfundura – në dy momente – nga DIA e Barit me ekzekutimin e përgjithshëm të 80 masave të sigurisë dhe sekuestrimet e pasurive për një vlerë prej 4 milion eurosh, kishin bërë të mundur, ndër të tjera, në vitin 2016 të arrestoheshin “në det” në Polignano dy skafistet me prejardhje nga Shqipëria me shumë se një ton lëndë narkotike; të ndalohej në Bari Carrassi një korier italian me furgon me më shumë se një mijë kilogram lëndë narkotike e trafikuar më parë në Torre e Mare nga Shqipëria;
të identifikoheshin në autostradë në Grottaminarda e në Vasto dy korieret italian ndërkohë që po transportonin lëndë narkotike e destinuar në Salerno e në Tortoreto (Te); të arrestoheshin dy korieret shqiptar me lëndë narkotike në Sicili (Rg) pasi kishte zbritur nga një autobuz me prejardhje nga Bari; të identifikohej një tjetër depo në Mola të Barit brenda te cilës janë gjetur dhe sekuestruar lende narkotike e llojit cannabis sativa bashkë me një pako me kokainë; të kapeshin ne flagrance “në det” në Molfetta (Ba) dy skafistë nga Shqipëria me më shumë se një ton lende narkotike; të identifikohej dhe sekuestrohej në Savelletri (Br) një depozitë brënda të cilës ishin të ruajtura rreth 700 kg lëndë narkotike e të njëjtit tip (përveç fishekëve për Kallashnikov, njesi kontrolli elettronike për automjete, dokumenta, kapuça e gozhda prej hekuri me tre maja); të gjendej në Palagiano (Ta) një korier që po transportonte lënde narkotike e destinuar në tregun Lucan; të sekuestroheshin disa karta identiteti italiane të fallsifikuara në Shqipëri, në emer të qytetarëve puglies, të cilët nuk ishin në dijeni, të perdorura nga Shqiptarët për të shkuar në Evropën e Veriut.
Në tërësi, në kuadër të hetimeve të sipërpërmendura, janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijunë, kokainë e hashish, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion euro, për një sasi totale prej rreth 14 milion dozash njëshe që dalin nga shpërndarja me pakicë
Personat e akuzuar në operacioni Shefi janë dënuar, në shkallë të parë e të dytë, për vepra penale të ndryshme, e dënime deri në 20 vjet burg ndërsa, në lidhje me operacionin Kulmi, me datën 29 qërshor 2021, Gj.S.P pranë Gjykatës së Barit ka dhënë një vendim të parë denimi ndaj 16 të pandehurve të dënuar, për vepra penale të ndryshme, me dënime deri në 13 vjet burg.
Masat e sigurisë të zbatuara në ditën e sotme – në burg (25) persona e në arreste shtëpie (3) persona – janë kryer në Shqipëri në qytetet e Vlorës, Kavajës, Durrësit e Tiranës, Skrapar. Në Itali, Mali i Zi, e në Spanjë.
(E.K/Faxweb.al)