Ministri Lefter Koka në Inaugurimin e Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve dhe Prodhimit të Energjisë, për Qarkun Elbasan ka mbajtur një fjalë të gjatë me sfidat në të cilat ka mbajtur vendi sot.
Për ministrin Koka sot mjedisi është përmirësuar ndjeshëm edhe pse ka ende fonde që nuk dihet se kanë shkuar.
‘’Por jo vetëm kaq! Ne duhet ta themi, se janë shpërdoruar Miliona Euro, para të buxhetit të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë apo para të donatorëve, për të kryer studime fizibiliteti apo të tjera projekte, në sektorin e mjedisit. Jam i sigurt se askush nuk di të thotë se ku kanë përfunduar ato para. Për një gjë ju siguroj, vetëm në mjedisin shqiptar jo!’’, deklaroi Koka gjatë fjalës së tij.
Po ashtu Koka ka dhënë një përgjigje dhe për Impiantin që kerkohet të ndërtohet në Fier duke thënë se : Sot e gjithë vëmendja, PLOTËSISHT E MERITUAR, i takon një modeli të vërtetë suksesi. Ky impiant që ne po inaugurojmë sot, e them me garanci, se do të shndërrojë njëherë e përgjithmonë imazhin e Shqipërisë, sa i përket menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Asnjë bashki, asnjë qytet apo Qark, më mirë se Elbasani, nuk mund të shërbente si demonstrim i një transformimi të rrënjësor.
Sot Elbasani është shndërruar nga qyteti më i ndotur apo gangrena mjedisore e vendit tonë, si rëndom i janë referuar në 25 vite ekspertët mjedisorë, padiskutim në një model që nuk duhet të jetë një histori e veçuar suksesi, por duhet pasuar dhe nga të tjera projekte si ky.
Kujtojmë se LSI-ja në pushtetin lokal në Fier e ka kundërshtuar ndërtimin e impiantit në fshatin Verri.
FJALA E PLOTË E MINISTRIT KOKA:
Sot është padiskutim një ditë e shënuar, jo vetëm për mua si Ministër Mjedisi, por më së shumti për të ardhmen e mjedisit shqiptar, për jetën e sigurt të qytetarëve, pasi së bashku ia dolëm që të ndërtojmë një model të vërtetë suksesi.
Rreth 3 vite më parë, pak kush besonte se në vorbullën e 1001 problemeve, me të cilat përballej vendi do t’ia dilnim që të krijonin mundësi aty ku shumëkush shikonte vetëm probleme.
Pavarësisht reformave madhore e historike të ndërmarra në mjedis, kritikat kanë qenë gjithmonë prezent dhe unë vërtet shpresoj të vazhdojnë të shoqërojnë çdo inisiativë të ardhshme.
E them këtë me bindje, pasi realisht janë ato, që na kanë ndihmuar për vendimmarrje më të drejta, më afër objektives dhe më afër interesit qytetar.
Jam shumë i kënaqur, që shoh sot këtu mes nesh, disa nga zërat publikë më kritikë për këtë vepër madhore që po inaugurojmë sot, ta shohin dhe ta prekin nga afër, për të shuar çdo skepticizëm që ata patën.
Më duhet të them, sado retorike mund të tingëllojë, Realiteti Mjedisor me të cilin u përballëm në 2013-ën ishte në kufijtë e alarmit, ishte një realitet krejtësisht surreal.
Në 2 Dekadat e fundit ne duhet ta themi, se jo vetëm dora e njeriut, por edhe vetë politika, po çonte drejt greminës në limitet e degradimit, natyrën dhe mjedisin shqiptar.
Sulm frontal nga çdo drejtim e çdokush, pa asnjë mëshirë ndaj pasurive natyrore që Zoti na ka bekuar.
Qindra mijëra hektarë pyje të masakruar; Fauna dhe qindra specie të rralla drejt zhdukjes së plotë; Miliona metra kub mbetje urbane të depozituara vend e pavend, pranë shtëpisë, pranë lumit, në rrugë në det, duke bërë mision të pamundur ndërtimin e imazhit të një vendi turistik.
Por jo vetëm kaq! Ne duhet ta themi, se janë shpërdoruar Miliona Euro, para të buxhetit të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë apo para të donatorëve, për të kryer studime fizibiliteti apo të tjera projekte, në sektorin e mjedisit. Jam i sigurt se askush nuk di të thotë se ku kanë përfunduar ato para. Për një gjë ju siguroj, vetëm në mjedisin shqiptar jo!
Përballë një situatë të tillë, arnimet NUK mund të ishin zgjidhja, ndaj kërkohej vullnet dhe vendimarrje e menjehërshme, për një ndërhyrje rrënjësore.
NUK dua te ndalem sot në sukseset e dy momenteve historike të mjedisit shqiptar, moratoriumin e pyjeve dhe të gjuetisë, apo në të tjera reforma madhore që kemi ndërmarrë në këto 4 vite.
Sot e gjithë vëmendja, PLOTËSISHT E MERITUAR, i takon një modeli të vërtetë suksesi. Ky impiant që ne po inaugurojmë sot, e them me garanci, se do të shndërrojë njëherë e përgjithmonë imazhin e Shqipërisë, sa i përket menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Asnjë bashki, asnjë qytet apo Qark, më mirë se Elbasani, nuk mund të shërbente si demonstrim i një transformimi të rrënjësor.
Sot Elbasani është shndërruar nga qyteti më i ndotur apo gangrena mjedisore e vendit tonë, si rëndom i janë referuar në 25 vite ekspertët mjedisorë, padiskutim në një model që nuk duhet të jetë një histori e veçuar suksesi, por duhet pasuar dhe nga të tjera projekte si ky.
Falë Partneritetit Publik-Privat, ne mundëm që në vetëm dy vite e gjysëm të investonim 26 milionë euro, ku vetëm 30% e tyre nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga privati.
Falë këtij investimi u bë i mundur:
Rehabilitimi i plotë i dampës ekzistuese të mbetjeve që ishte kthyer në një gangrenë për qytetin e Elbasanit dhe shndërrimi i tij në një park REKREATIV dhe të gjelbëruar. Memorja mund të jetë e shkurtër ndonjëherë,dhe e sotmja mund ta bëjë të djeshmen inekzistente. Por sikundër e patë në dokumentar, vetëm 2 vite më parë Elbasani ishte një realitet i trishtë ose më saktë i mjerueshëm.
Në këtë qytet, ndërtuam një landfill të ri, brenda të gjitha standarteve të Bashkimit Europian me një impiant modern të trajtimit të ujërave, i cili u bë funksional me kapacitet të plotë , reth një vit më parë
Sot po inagurojmë të parin impiant në Shqipëri për prodhimin e energjisë nga mbetjet duke bërë të mundur që dhe jetëgjatësia e landfillit të jetë mbi 80 vjet.
Impianti i prodhimit të energjisë nga mbetjet në Elbasan është fjala më e fundit e teknologjisë që mban nivelin e emetimit të gazeve me dhjetëra herë nën normat e emetimeve që ka përcaktuar VETE Bashkimi Europian.
Më duhet të them, se sot po inaugurojmë një vepër inxhinierike unike në llojin e vet në Shqipëri, me teknologjinë supreme që ajo sjell
Impianti është në gjendje të prodhojë 2.85 Megavat energji elektrike në orë, si dhe rreth 11 megavat avuj në orë, të cilat në të ardhmen, do të përdoren për serrat hidroponike, që do të ngrihen këtu pranë
Absolutisht, sot jemi përballë, një kryevepre të teknologjisë që tejkalon çdo standard mjedisor kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ky impiant, i pari i këtij lloji është investimi më i madh i bërë ndonjëherë në fushën e mjedisit në vendin tonë.
Falë bashkëpunimit me Gjigandët Botërorë të teknologjisë si: Paul Ëurth, Siemens apo Tama është bërë e mundur që ky impiant të jetë super ekologjik, në respekt të plotë të natyrës dhe njerëzve.
Qytetarët e Qarkut Elbasan, nga sot do të kenë një shans më shumë, ata do të rrisin fëmijët e tyre në një ambjent të sigurt dhe të shëndetshëm.
Eshtë Detyra jonë e të gjithëve ne, të garantojmë mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve Shqiptarë! Eshtë detyra jonë është t’i kthejmë Shqipërisë një faqe tjetër.
Ky është shansi ynë, shansi për të gjithë qytetarët shqiptarë!
Unë personalisht ndihem krenar, pasi nga sot hapim një kapitull krejtësisht të ri të menaxhimit të mbetjeve në vend, kapitullin e një Mjedisi Europian. (E.K/SHUPLAKA)