Deklaratat e forta të Ministrit Lefter Koka kanë prekur edhe Kryebashkiakun aktual të Durrësit Vangjush Dako, që sipas tij, po u dikton punonjësve të policisë se “LSI është kundërshtari që duhet luftuar”.
Koka e ka cilësuar jonormale që një eksponent i PS-së si Dako të përfshihet në këtë lojë të fortësh, ndërsa ka pohuar se Grida Duma duhej të ishte Kryebashkiake e Durrësit.
“Vangjush Dako i thotë policisë ‘harrojeni PD-në, kundërshtar kemi LSI-në’– tha Koka duke shtuar se “këto informacione më kanë ardhur nga elementë brenda strukturës së policisë së Durrësit”.
Ndër të tjera, ai e ka cilësuar Kryebashkiakun Dako një arrogant të dehur nga pushteti që nuk u përgjigjet as qytetarëve.
“Dehja nga pushteti i ka bërë njerëzit arrogantë dhë që të shkëputen nga realiteti, e kam fjalën për qeverisësit. Unë jam i bindur se Kryeministrin Rama e dizinformojnë mbi situatat në Durrës dhe gjendjen e policisë, por uroj që të ketë një reflektim për këtë.”-deklaroi Koka. (A.H/Shuplaka.com)