Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste ka fituar Bashkinë e Kuçovës, ku nuk kanë munguar akuzat për manipulime nga kampi kundërshtar.
Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Lefter Maliqi, ka deklaruar se zgjedhjet në këtë bashki janë manipuluar nga oligarkët, dhe për këtë do të vëjë në dijeni dhe vëzhguesit e OSBE-ODHIR.
“Procesi u manipulua nga oligarkët me lloj lloj makinacionesh”, është shprehur Maliqi, ndërkohë që në kampin socialist nisi festa me fishkezjarre në mes të ditës.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, njëherësh dhe i dërguari politik i socialistëve në qarkun e Beratit tha se i gjithë qarku është me rezultatin 5:0 në favor të socialistëve. Ndërkohë Cuçi tha se do të bëhet një analizë sa i takon rezultatit në Kuçovë, që sipas tij do të duhej të ishtemë bindës në favor të socialistëve.
“Kuçova pati një betejë që u diktua nga hapja e kutive, ju i patë vetë të gjitha. Nuk ka lidhje kjo fare, se kandidati tjetër mund të na ketë gërryer edhe ne vota, ne duhet të reflektojmë pas këtij rezultati”, u shpreh Cuçi.
Në Dimal janë duke u numëruar 3 kutitë e fundit, ndërkohë që në Berat procesi po ecën më ngadalë, edhe pse Ervin Demo është dukshëm në avantazh kundrejt kandidatit të Bashkë Fitojmë Zija Ismaili.