Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur sot në zyrën e tij ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu.
Ky takim është bërë rreth orës 15:00 dhe vetë Berisha tregon se çështja kryesore e diskutimit të tij me ambasadorin amerikan, ka qenë kriza politike në vend.
“Takim me ambasadorin e SHBA, Donald Lu!
Te dashur miq, sot ne ora 15:00 pata nje takim ne zyren time me ambasadorin e SHBA, Donald Lu,
Ne kete takim u diskutua gjeresisht mbi situaten e rende ne vend. Theksova se situata eshte shume kritike sepse Edi Rama, pasi ka mbushur per qellime elektorale vendin me droge dhe e ka mohuar dhe mohon ate, pasi ka mbushur institucionet me kriminele e po i liron nga burgjet dhe e ka mohuar dhe e mohon ate, pasi ka shnderruar administraten, te gjithe punonjesit e administrates dhe ndermarrjeve publike ne trupe elektorale te PS, ka vendosur te varrose pluralizmin politik ne Shqiperi.
Ne takim u diskutua gjeresisht mbi rendesine e vazhdimit dhe zgjidhjes me dialog te kesaj situate tejet te rende qe perjeton vendi.”, tregon Berisha.
Në fakt, ky takim i Lu-së me Berishën, vjen një ditë pas vizitës së 7 kongresmenëve amerikanë në Shqipëri, të cilët zhvilluan takime me figurat kryesore të politikës shqiptare, si Bujar Nishanin, Ilir Metën, Lulzim Bashën.
Ambasada Amerikane në Tiranë ka dhënë sot detaje në lidhje me këtë vizitë të Kongresmenëve. Me anë të një deklarate drejtuar mediave, Ambasada thekson se në këtë takim u nënvizua partneriteti strategjik mes vendeve.
“Një delegacion me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, udhëhequr nga kongresmeni Bob Goodlatte, kreu një vizitë në Shqipëri të mërkurën, gjatë së cilës nënvizoi partneritetin strategjik midis ShBA dhe Shqipërisë, rëndësinë e reformës në drejtësi për vendin, dhe çështje rajonale”, citohet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve. (D.D/Shuplaka)