Kreu i lëvizjes “Zgjidhja” brenda grupit të Partisë Socialistë, Koço Kokëdhima, deklaron se pa opozitën nuk duhet të shkohet në zgjedhje.
Këtë deklaratë Kokëdhima e bëri mbrëmjen e kaluar teksa ishte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit.
“Për mendimin tim LSI nuk mund të shkojë dot në zgjedhje për hir të faktit se është në koalicion me PS-në, nëse në këto zgjedhje nuk përfshihet opozita. Nëse këto zgjedhje do të realizohen me pjesëmarrjen e shumicës dhe të opozitës, atëherë ne mund të flasim se si mund të konfigurohen”, tha ish-deputeti socialist.
Kokëdhima u shpreh se i vinte keq që kauzën për zgjedhjet e lira e mori PD-ja dhe jo PS-ja, dhe shtoi se kryeministri Rama nuk ka bërë asgjë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Unë mendoj se PS-ja nuk e meritonte që të ishte në këtë pozitë që është sot. E para sepse PS-ja duhet të udhëhiqte luftën për zgjedhje të lira në Shqipëri dhe ne e kemi kauzë këtë dhe nuk mund t’ia dorëzojë PS-ja kauzën për zgjedhje të lira PD-së, e cila është partia që mbolli kulturën e vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Qeveria e Edi Ramës nuk bëri asnjë përpjekje për të pasur zgjedhje të lira në Shqipëri.”,u shpreh Kokëdhima.
Më tutje Kokëdhima shprehet se nuk ka rëndësi nëse qeveria shkon në zgjedhje me në krye Ramën apo jo, rëndësi ka që të sigurohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në njëfarë mënyre, ai nënkupton se është dakort me krijimin e qeverisë teknike, kërkesë e opozitës prej më shumë se një muaji protesta.
“Qeveria jonë kishte përgjegjësinë që të bënte reformë zgjedhore me themel dhe përfundimtare. Këtë detyrë e ka edhe sot. PS-ja, shumica, duhet t’i japë besim opozitës, t’i japë një qeveri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shumica jonë duhet ta riformulojë qeverinë dhe nuk është me shumë rëndësi nëse shkon me Edi Ramën apo pa Edi Ramën. Duhet të shkojë me një qeveri të shumicës së majtë, por që është serioze dhe që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Prandaj kam kërkuar unë Kongresin e Jashtëzakonshëm që të analizohej situata me përgjegjësi të lartë, të mos fshihen të vërtetat, të merren përgjegjësi për situatat që janë zhvilluar për qeverisjen e vendit, për historinë e vendit, për korrupsionin, për kanabisin. Duhet riformuluar një qeverisje serioze me njerëzit dhe potencialet më të mira të së majtës që ofron seriozisht qeverisjen e duhur për vendin dhe për zgjedhjet. Duhet bërë reforma zgjedhore me konsensus të plotë me opozitën dhe të shkohet në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata që deklarojnë se do të bëjnë zgjedhje pa opozitën, me forcë, janë deklarata të papërgjegjshme kalamajsh dhe jo burrash shteti”-u shpreh Kokëdhima. (D.D/Shuplaka)