Koço Kokëdhima ka shtruar ditën e djeshme një drekë për një grup të moshuarish në Tiranë. Duket se ka qenë kjo kategori grupi i parë me të cilën Kokëdhima ndan qëndrimet se çfarë duhet të bëhet më mirë në këtë vend për të përmirësuar jetët e tyre.
Ai është shpprehur se ky brez mbart me vete të gjithë sakrificat dhe duhet të gëzojë respektin më të madh nga qeveria dhe shteti.
Fjala e plotë e Kokëdhimës:
Ne ju jemi mirënjohës juve, që na ushqyet, që na lindët, që na bekuat, që na mësuat dashurinë për atdheun, dashurinë për familjen, dashurinë për njëri-tjetrin, na mësuat qytetërimin, na mësuat civilizimin, na mësuat punën, nderin dhe respektin. Unë jam një burrë i realizuar, por gjëja më e shenjtë që kam në jetë është mëma ime dhe nuk e ndërroj me të gjithë botën. Ashtu kam pasur e mbajtur edhe tim atë sa qe gjallë.
Nuk ishin njerëz të mëdhenj, nuk kishin poste, nuk kishin universitete, por ishin ata që më bënë kokën mua, më mëkuan me dashuri dhe besnikëri për vendin, për popullin, për njerëzit, me dashuri për librat, për dijet dhe me cilësitë dhe vlerat që duhet të kenë qytetarët e Shqipërisë.
Prandaj unë jam gjithmonë pranues dhe mirëpritës i përulur kur më vijnë ftesa nga përfaqësuesit e moshës së tretë dhe moshës së katërt. Por, se ju nuk jeni thjesht as mosha e tretë dhe as mosha e katërt e vendit tonë. Për kushtet që ka Shqipëria, ju jeni ndërgjegjja e këtij vendi, ju e bëtë këtë vend. Megjithëse e ndërtuat këtë vend, me patriotizmin tuaj, me sakrificat tuaja, me punën tuaj, ju jeni gjenerata që nuk u paguat dhe nuk u shpërblyet për punët që bëtë.
E shikoni çfarë ndodh sot?
Këta, kasta sunduese e këtij tranzicioni, gjithë kokrrat e hajdutëve që qeverisin këtë vend në 25 vjet, kërkojnë miliarda vetëm sepse e vjedhin, jo sepse japin për të (vendin). Ju dhatë gjithçka dhe s’morët pothuajse asgjë. Këta thonë “është vendi në borxh me ne, se s’e kemi vjedhur akoma sa duhet, se nuk e kemi plaçkitur akoma sa duhet”. I vodhën shpirtin, i vodhën trupin, i vodhën pasurinë, i vodhën nderin, dinjitetin, gjithçka dhe akoma thonë: vendi është në borxh me ne. Po me ju çfarë bëhet? Me ju, me ju që dhatë gjithçka, dhatë gjithë energjinë tuaj, gjithë entuziazmin tuaj, gjithë pasionin tuaj, gjithë nderin tuaj, gjithë edukimin tuaj, ia dhatë trashëgim brezave që vijnë. E latë gjakun tuaj në këto vepra, në këto fusha, në këto diga, miniera e ndërtesa, rrugë e piramida, në këtë ekonomi.
Vetëm emigrantët dhe sipërmarrësit prodhuan pasuri në këtë tranzicion, ndërsa politikanët vetëm shkatërruan pasuritë e popullit.
Njëzetë e pesë vjet këta tutkunë të paaftë shesin pasuritë që bëtë ju, vjedhin pasurinë që bëtë ju, nuk bëjnë dot asnjë pasuri të re, dëshmojnë vetëm se janë të paaftë, janë tutkunë dhe kusarë. Prandaj, unë jam mirënjohës ndaj jush. Sa të jetoj do të jem i përulur dhe në nderimin tuaj, të paraardhësve tanë, të paraardhësve të mi, të dëshmorëve tanë, të heronjve, të atyre që dhanë gjakun për këtë vend dhe të gjithë veteranëve të rindërtimit të vendit, ndaj atyre që prodhuan industrinë e këtij vendi, që bënë naftën, bujqësinë, atyre që bënë ndërtimin, hidrocentralet, atyre që bënë mjekësinë, atyre që bënë arsimin, atyre që ngritën gjithë jetën e këtij vendi pothuajse nga hiçi.
800 mijë çobanë dolën nga lufta, 800 mijë çobanë pa dije, injorantë, që nuk dinin shkrim dhe këndim, por që kishin idealet e mëdha të përparimit në zemër. Ata 800 mijë çobanë mësuan shkollë, edhe punonin edhe mësonin. Nuk bënin si këta tani, që i kanë degjeneruar shkollat dhe universitetet. Ata ishin njerëz të përgjegjshëm për atdheun e tyre. Dhe e bënë Shqipërinë një vend me dinjitet. Ishte krenari të ishe shqiptar dhe ishe krenar të kishe pasaportën e Shqipërisë. Tani u vjen turp emigrantëve tanë të thonë se jemi shqiptarë.
Prandaj, për këto arsye zonja dhe zotërinj, burra të nderuar, nuk morët pasurinë si shpërblim, nuk morët as nderimin që iu takon, por kjo tokë, ky vend dhe ky popull, sa më shumë të kalojnë vitet, aq më shumë do ju jenë mirënjohës për këtë vepër të madhe të atdhetarisë që ju bëtë dhe për këtë edukim të shëndoshë që latë pas. Edhe pse kalojmë gjithë këto stuhi e gjithë këto turbullira, do të kthjellohet koha dhe vepra juaj do të ndriçojë gjithnjë e më shumë ndër vite. Gëzuar për ju dhe jetë të gjatë! Jetë të lumtur! T’iu rrojnë të gjithë të dashurit, t’iu rrojnë fëmijët, nipërit, mbesat, gjithë çkeni! Zoti iu dhëntë forcë dhe gëzim! Gëzuar miq të dashur! Gëzuar të gjithë juve! (E.K/SHUPLAKA)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”441″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]