ZGJIDHJA u bëri thirrje banorëve të Tiranës që të solidarizohen me protestën e banorëve të Shkozës, që për të tretën ditë rresht po protestojnë kundër planit të qeverisë për të prishur 153 banesa, pa u dhënë dëmshpërblim.
Në një reagim kreu i ZGJIDHJA-s Koço Kokëdhima, ftoi këdo që të bashkohet me banorët, që thonë se janë mashtruar nga deputetët socialistë, të cilët u premtuan legalizim përpara zgjedhjeve të 25 qershorit për t’u marrë votën, ndërsa tani duan t’i lënë mes katër rrugëve pa u dhënë asnjë dëmshpërblim.
“ZGJIDHJA fton çdo qytetar të Tiranës që të solidarizohet me protestën e banorëve të Shkozës. Jo represionit qeveritar! Nesër do të jesh ti i kërcënuar!”-shkruan Kokëdhima.
Ndërkohë pak orë pasi qindra banorë marshuan nga Shkoza në drejtim të ambasadës amerikane, ku kërkuan ndërhyrjen e diplomatëve të huaj, që të mos u shkatërrohen shtëpitë.
Nesër banorët e Shkozës kanë paralajmëruar një protestë tjetër, kësaj radhe përpara selisë së qeverisë shqiptare, ndërsa premtojnë se do t’i shkojnë deri në fund betejës për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Qeveria planifikon prishjen e 153 banesave që janë ndërtuar para dhe pas viteve ’90 për t’i hapur rrugë projektit të rehabilitimit të lumit Lana.
Përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, kandidatët për deputetë të PS-së u premtuan banorëve se qeveria do të nxirrte një VKM të posaçme për legalizimin e banesave të tyre, ndërsa tre ditë më parë fadromat e IKMT-së shkuan në Shkozë për të nisur prishjen e banesave.
(S.SH/Shuplaka)