Ish-deputeti Koço Kokëdhima ka kritikuar ashpër mënyrën e qeverisjes dhe gjendjen e institucioneve në Shqipëri.
Në një intervistë me gazetarin Çim Peka, Kokëdhima u shpreh se qeveria dhe institucionet në vend janë në duart e tutkunëve.
“Qeverisja e institucioneve dhe punëve në Shqipëri është në duart e të gjithë tutkunëve, njerëzve të paaftë, njerëzve që e kanë katandisur shtetin shqiptar që nuk pastron dot borën në një rrugë, e kanë katandisur që çdo shi na përmbyt, çdo ngricë na ndërpret shkollat, çdo dëborë, në vend që të shijohet, na ndalon të shkojmë në Dajt, na ndalon të çojmë fëmijët në çerdhe, e kështu me radhë”, është shprehur Kokëdhima.
Sipas tij, partitë në vendin tonë janë në gjendje skandaloze.
“Partitë politike në Shqipëri kanë një gjendje skandaloze dhe për këtë arsye unë edhe më parë kam artikuluar se partitë politike në Shqipëri, gjithnjë e më shumë janë në ngjashmëri me bashkësitë parapolitike. Pra janë struktura që i ka mbuluar fiktiviteti, nuk kanë institucione, nuk kanë standarde, nuk kanë kulturë funksionale, nuk kanë burime njerëzore të kualifikuara, nuk prodhojnë baza të dhënash, nuk prodhojnë raporte, nuk mundësojnë të drejtat e anëtarësisë së partisë, ato të drejta që parashikojnë dokumentet e partisë. Këto struktura politike jodemokratike prodhojnë gjithashtu qeverisje të vendit jodemokratike”, u shpreh Kokëdhima.
Ndër të tjera, Kokëdhima u shpreh se në këto 15 vitet e fundit PS jo vetëm nuk ka bërë progres drejt një partie me standarde, me demokraci të brendshme dhe me institucione, por madje ka bërë hapa pas. (D.D/Shuplaka)