Themeluesi i lëvizjes “Zgjidhja” brenda grupit socialist Koço Kokëdhima, vlerëson protestën paqësore të opozitës, por thotë se kulturën e vjedhjes së votës në vend e mbolli ish-kryeministri Sali Berisha.
” ZGJIDHJA vlerëson dhe respekton çdo protestë paqësore politike dhe qytetare. Shqipëria ka 25 vite që vuan këtë tranzicion të gjatë e të dhimbshëm, sepse ky vend nuk bën zgjedhje të ndershme, të lira e të drejta. Saliu dhe Partia Demokratike e mbolli kulturën e vjedhjes së votës në Shqipëri. Për herë të parë vjedhjen e zgjedhjeve me njerëz të fortë e kriminelë, të mbështetur nga zyrtarë të Partisë Demokratike dhe punonjës të policisë të shtetit, Berisha e aplikoi në Libofshë të Fierit, në zgjedhjet e pjesshme lokale në 29 maj të vitit 1994. Njerëzit e tij rrahën barbarisht, morën peng dhe terrorizuan përfaqësuesit vendorë dhe deputetët e PS-së dhe mbushën kutitë me vota për PD-në. Në maj të vitit 1996, sipas këtij modeli Saliu grabiti zgjedhjet e përgjithshme në të gjithë Shqipërinë.
Për fat të keq, e majta në vite, nuk u distancua nga vjedhja dhe trafikimi i votës. Të dy palët rafinuan një sistem të sofistikuar të manipulimit të votës dhe e mbajtën popullin shqiptar në gjendjen më të mjerueshme në rajon dhe në kontinent. Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Edhe zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të jenë të pastra, do të jenë zgjedhje të molepsura. ZGJIDHJA kërkon fitoren e vullnetit të popullit përpara fitores së grupimit tonë politik, preferon një humbje të pakontestuar përpara një fitoreje të kontestuar në zgjedhje. “, tha Kokëdhima. (D.D/Shuplaka)