Në një takim me mbështetësit e tij në Fier, ish-deputeti Koço Kokëdhima deklaroi se Partia Socialiste nuk merr dot as 60 mandate në zgjedhjet e qershorit.
“Por edhe pse kjo është e vërtetë, ajo reduktohet e zvogëlohet çdo dy vjet. Në këtë rrugë që ecën, PS rrezikon që të prekë, në zgjedhjet e qershorit, pozitën e vet më të keqe historike. Ajo rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve”, tha Kokëdhima.
Sakaq, kreu i lëvizjes më të re të quajtur “Zgjidhja”, sulmoi edhe kreun e PS-së dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
“Partia e udhëheqjes e shalon këtë partinë e bazës dhe pushtetin që prodhojnë qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Zgjidhja kërkon që njerëzve t’u thuhet e vërteta, që në parti të flitet hapur, të ketë debat, të dëgjohen të gjithë, jo vetëm kryetari dhe ministrat e tij. Udhëheqja jonë është arrogante, e mbyt debatin, i kërcënon e shantazhon dhe i pushon nga puna ata socialistë e qytetarë që kanë dhe flasin mendime të tjera nga kryetari”, shtoi Kokëdhima.
Megjithatë pak orë më parë, në mbledhjen e kryesisë së PS-së, Rama deklaroi se koalicioni merr 71 deputetë nëse LSI del veç, sepse e tillë është formula sipas tij. (D.D/Shuplaka)