Në një takim me simpatizantë të lëvizjes “Zgjidhja” në Vlorë, ish-deputeti Koço Kokëdhima tha se lidershipi i PS-së, domethënë Edi Rama, po u ushtron presion simpatizantëve të tij në botë.
“Ju jeni në dijeni të plotë për këtë çështje, që presionet, shantazhet, qasjet donkishoteske për të luftuar idetë, për të luftuar platformën e Zgjidhjes në fakt e kanë çuar në përçarje Partinë Socialiste në Vlorë. Dhe të gjitha përgjegjësitë e kësaj përçarjeje i ka lidershipi. I kanë ata që drejtojnë këtu. Dhe me këto përçarje e kanë dëmtuar thelbësisht Partinë Socialiste.
ZGJIDHJA dëshiron t’i kapërcejë këto histori dhe ta bashkojë Partinë Socialiste me qytetarët e vendit, në një politikë të re, dhe në një rrugë të tillë të shëndetshme të kapërcimit të plagëve të sistemit politik të kalbur që është në fuqi në Shqipëri gjatë gjithë këtij tranzicioni.
Gjithë ky tranzicion ka vërtetuar zhgënjim në çdo palë zgjedhje nga viti 1990, kur qytetarët aspironin një Shqipëri demokratike, sovrane, të lirë, të shanseve të barabarta për të jetuar një jetë të lumtur për njerëzit etj. E deri më sot, në çdo 4 vjet vërtetohet zhgënjim nga çdo qeveri që vjen në pushtet. Pse ndodh kjo? Pse ndodh që politika zhgënjen sistematikisht popullin?
E gënjejnë popullin tonë politikanët. I kanë marrë rolin dhe kompetencat në demokraci, kanë marrë praktikisht atë pushtet dhe atë rol që duhet ta ushtrojnë qytetarët dhe ata nuk mund ta ushtrojnë atë rol. Nuk mund të luajnë rolin e popullit në demokraci. E duhet të jemi shumë të qartë që të gjithë, që pa rindërtuar dhe pa demokratizuar si partitë politike edhe sistemin politik, Shqipëria nuk mund ta kapërcejë këtë tranzicion të gjatë dhe të dhimbshëm.
Për të dalë nga ky tranzicion na duhet pikërisht një reformë e thellë e sistemit politik, që demokratizon partitë, që demokratizon qeverisjen dhe që i jep të drejtën popullit të marrë në duar fatet e veta dhe të mbrohet nga këto qeveri dhe nga këta lidera që i shkelin të drejtat e këtij populli.”, iu përgjigj Kokëdhima pyetjes së gazetarëve nëse është ndeshur në presione.”, tha ish-deputeti.
Ndër të tjera, kreu i Lëvizjes “Zgjidhja” tha se shqetësimi për vjedhjen e votave është real, dhe shtoi se Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Ne nuk e paragjykojmë protestën e opozitës për sa kohë ajo protestë mbetet paqësore. Prandaj edhe i kemi bërë thirrje Bashës që ta largojë retorikën e dhunës nga fjalimet e tij politike. Ashtu siç e kemi ftuar atë që të vazhdojë veprimtarinë dhe debatin politik në Parlament. Shqetësimi i çdo partie politike dhe i çdo qytetari të Shqipërisë për zgjedhjet, është një shqetësim real dhe i bazuar. Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Dhe zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të jenë të lira, të ndershme dhe të barabarta. Do të jenë zgjedhje të molepsura dhe zgjedhje të ndotura, siç kanë zgjedhjet e tjera në Shqipëri. Në qoftë se ne sot nuk kemi një shtet të së drejtës në Shqipëri dhe një shtet ligjor, nuk e kemi këtë shtet për arsye se nuk bëjmë zgjedhje të ndershme, të drejta dhe të lira.”, tha Kokëdhima. (D.D/Shuplaka)