Kreu i partisë ”Zgjidhja” Koço Kokëdhima duke marrë shkas nga situata e banorëve në Shkozë dhe prishjen e ndërtesave të tyre ka rikthyer një situatë të ngjashme ndodhur në Dhërmi. Ai ka publikuar disa mesazhe që ka këmbyer një vit më parë me Ramën dhe Kumbaron.
Në mesazhet e publikuara nga Kokëdhima kryeministri shprehet se prishjet do të vazhdojnë dhe se nuk do të ndalen për shkak se njerëzit bërtasin.
”Nuk e kuptoj këtë mesazh! Prishjet aty janë të domosdoshme dhe po bëhen siç janë bërë kudo! Se bërtasin ata që kanë ndërtuar mostra pa leje, s`mund të ndalemi! Dëgjesa duhet pikërisht për këtë, që të sqarohen të gjithë”, i përgjigjej Rama Kokëdhimës kur kreu i ”Zgjidhjes” i kërkonte që të ndaleshin prishjet e banesave.
”Edi, nuk është aspak e vërtetë se bërtasin ata që kanë ndërtuar mostra. Është në një qëndrim, çdo i gjallë në Dhërmi, janë të gjithë të revoltuar si rrallë ndonjëherë. I kërkova ministres Kumbaro të ndalonte tri ditë prishjet dhe të shkonim e të bisedonim të shtunën me njerëzit. Ju preferuat arbitraritetin dhe forcën në vend të arsyes dhe urtësisë, nuk më dëgjuat mua që bisedova shtruar me banorët dhe rashë dakord me ta të bashkëpunojnë me projektin, por e gjetët zgjidhjen te dhe me policët e INUK-ut! “Dëgjesa publike” nuk duhet për të sqaruar njerëzit, dëgjesa është detyrim ligjor të bëhet përpara se idjotët e INUK-ut të hyjnë në çdo familje në Dhërmi, është detyrim ligjor për Qeverinë dhe e drejtë e patjetërsueshme e atyre banorëve. Dëgjesa nuk është të flas Qeveria në televizor dhe të iki, por të dëgjohen njerëzit e të konsiderohen edhe ata edhe projekti.”, i kthehej Kokëdhima-Ramës.
STATUSI I KOKËDHIMËS:
Një nga ndjekësit në profilin tim në Facebook, (Nino), më shkruan: Z. Koço tani të dhimbset Shkoza? Kur ishe pjesë e qeverisë krenoheshe me prishjet në jug! Ke diçka për të thënë për këtë?
Nino (Ntinos Tsekitsi fb)
I dashur Nino!
Gjeni një mburrje të vetme timen, me prishjet në jug apo gjetkë dhe referoje në mënyrë publike. Nuk do tē mundeni kurrë! Unë nuk kam qenë as edhe një sekondë të vetme, pjesë e qeverisë. Gjatë 3 viteve të shkuara si deputet, edhe tani si kryetar i ZGJIDHJA-s, kam qenë dhe mbetem kategorikisht kundër prishjeve brutale dhe çnjerëzore, kundër përdorimit të punëve publike, si fatkeqësi për qindra e mijëra familje dhe kam qëndruar gjithmonë në anën e njerëzve të goditur.
Në zonën time shpëtova shumë prej tyre nga tragjeditë e prishjes së banesave dhe nuk lashë gur pa lëvizur, që ata të merrnin legalizimin dhe dëmshpërblimin e drejtë për pronat e tyre.
ZGJIDHJA është kundër prishjeve barbare, si në Shkozë dhe kudo gjetkë, kërkon legalizimin e çdo ndërtese, shpronësimin me çmimet e tregut, mbështetjen me qiranë e shtëpisë për dy vite derisa banori të blejë shtëpinë e re dhe dëmshpërblim me dy vite për fitimin e munguar deri sa pronari ta ngrejë biznesin që prishet në një vend tjetër.
Më lejo i dashur Nino, të të tregoj komunikimin tim të shkruar me kryeministrin Rama dhe ministren Kumbaro më 5 maj 2016, pas sjelljes brutale të njerëzve të qeverisë në Dhërmi. Lexoje dhe gjyko për qëndrimet e mia kur isha deputet i PS-së dhe sot.
Komunikimi i datës 5 Maj 2016, për çështjen e prishjeve të shtëpive në Dhërmi.
Koço Kokdhima- Edi Ramës:
Në Dhërmi gjeta një gjendje tejet të nderë e të dëshpëruar. Ç’kemi ndërtuar në tre vjet, e kanë rrënuar në pak javë zyrtarët tanë.
Koço Kokëdhima-Edi Ramës dhe Mirela Kumbaros:
E dashur Mirela, me sa duket KM nuk ka nevojë as për popullin, as për ne. Kjo qeveri, siç duket nuk dëshiron të flasë me fshatarët e pleqtë e Dhërmiut. Kjo qeveri flet përmes forcës, fadromave dhe mjeranëve të INUK-ut. I gjithë populli i Dhërmiut ndihet i fyer dhe i poshtëruar, i shkelur dhe i goditur. Qeveria ka shumë urgjenca, por populli me sa duket nuk i mendon gjërat si Qeveria. Dhe diçka të fundit mikja ime, asnjë mbështetës i yni në Dhërmi nuk dëshiron, madje ndihet i turpëruar të identifikohet me ne për mënyrën si po e bëjmë këtë punë ne atje. Zyrtarët e Qeverisë kujtojnë se goditën 50 a 20 familje, por fitojnë shumë të tjerë. Ky është gabim i madh: mjafton të godasësh një familje dhërmijase pa mirëkuptimin me banorët dhe të fitosh armiqësinë e gjithë banoreve, siç ka ndodhur me ne tani. Në Dhërmi të gjithë njerëzit thonë për të dërguarit e INUK-ut se “erdhën ata të ISIS-it”.
Më vjen sinqerisht shumë keq. Unë nuk mendoj se ka më ndonjë kuptim për mua, të marr pjesë në “dëgjesa me popullin” ndërkohë që fadromat e urryera të INUK-ut vazhdojnë me gjuhën e forcës programin e prishjeve pa asnjë informim, bashkëbisedim, dëgjim e mirëkuptim paraprak me ata banorë. Miqësisht e me respekt për Ju, KK.
Edi Rama-Koço Kokëdhimës:
Nuk e kuptoj këtë mesazh! Prishjet aty janë të domosdoshme dhe po bëhen siç janë bërë kudo! Se bërtasin ata që kanë ndërtuar mostra pa leje, s`mund të ndalemi! Dëgjesa duhet pikërisht për këtë, që të sqarohen të gjithë.
Koço Kokëdhima-Edi Ramës:
Edi, nuk është aspak e vërtetë se bërtasin ata që kanë ndërtuar mostra. Është në një qëndrim, çdo i gjallë në Dhërmi, janë të gjithë të revoltuar si rrallë ndonjëherë. I kërkova ministres Kumbaro të ndalonte tri ditë prishjet dhe të shkonim e të bisedonim të shtunën me njerëzit. Ju preferuat arbitraritetin dhe forcën në vend të arsyes dhe urtësisë, nuk më dëgjuat mua që bisedova shtruar me banorët dhe rashë dakord me ta të bashkëpunojnë me projektin, por e gjetët zgjidhjen te dhe me policët e INUK-ut! “Dëgjesa publike” nuk duhet për të sqaruar njerëzit, dëgjesa është detyrim ligjor të bëhet përpara se idjotët e INUK-ut të hyjnë në çdo familje në Dhërmi, është detyrim ligjor për Qeverinë dhe e drejtë e patjetërsueshme e atyre banorëve. Dëgjesa nuk është të flas Qeveria në televizor dhe të iki, por të dëgjohen njerëzit e të konsiderohen edhe ata edhe projekti.
Edi Rama-Koço Kokëdhimës:
Jo Koço, dëgjesa publike duhet për të ballafaquar faktet me pretendimet! Unë i kam parë vetë hartat dhe godinat që do prishen. Janë realisht rastet më flagrante.
Koço Kokëdhima-Edi Ramës:
Flasim për gjëra krejt të ndryshme, për parime, vlera e çështje ligjore e politike dhe jo për grafikë punimesh e godina. Unë nuk kam dyshim se kështu si veproni po prodhojmë pa asnjë shkak armiq dhe lëndime e vuajtje për njerëzit, sepse kemi zëvendësuar komunikimin e gjallë, të urtë e të vërtetë me forcën, me fadromat dhe inspektorët e INUK-ut dhe me fjalimet në tv. Rasti i Dhërmiut ku bëhen kundër nesh mbështetësit tanë, është diçka më shumë se paradoksale. Nuk do e bëj më këtë mundim të kotë e shqetësim për veten time, të përpiqem tu bind juve dhe zyrtarët e shtetit, të komunikojnë ndryshe me njerëzit tanë. Flm
(E.K/SHUPLAKA)