Themeluesi i Lëvizjes “Zgjidhja” brenda Partisë Socialiste Koço Kokëdhima, flet mbi fenomenin e kanabizimit në vend. Ish-deputeti shprehet se zgjedhjet e 18-qershorit janë të rrezikuara nga “Don Kanabisi”, siç e quan ai këtë fenomen.
“Mafia e drogës ka sot një fuqi financiare të pakrahasueshme dhe është në gjendje të afektojë zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe të gjitha institucinet e tjera të vendit. Edhe zgjedhjet e 18 qershorit janë të rrezikuara nga fuqia financiare e Don Kanabisit!”, tha Kokëdhima gjatë një takimi sot në Durrës.
Kokëdhima kujton propozimin e tij për legalizimin e kanabisit, dhe thotë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e mosaplikimit të tij.
“Unë vazhdova të qëndroj në propozimet e mia për legalizimin e mariuanës, qeveria vazhdoi të mbrojë pikpamjen se legalizimi është i parakohshëm sepse nuk e kontrollojmë dot situatën. Ky është paradoks. Paaftësia për ta kontrolluar ligjshmërinë është një arsye shtesë për ta legalizuar hashashin. Interesat e ekonomisë së ligjëshme janë një energji e madhe kundër ekonomisë së paligjëshme. Legalizimi e kthen kanabisin në një të mirë për popullin dhe buxhetin e shtetit, moslegalizimi e mban atë si parajsë ekskluzive të mafies. Qeveria ka thënë së fundmi se në vitin 2017 nuk do të lejohet më dhe do të marrë fund prodhimi i kësaj bime narkotike në Shqipëri.
Të gjithë funksionarët e policisë që janë implikuar me prodhimin ilegal dhe me trafikimin e marijuanës cenojnë sigurinë e vendit prandajë duhet të largohen nga shërbimet e policisë së shtetit. Si do e ndalojë Tahiri mafien e kanabisit kur përfituesit më të mëdhenj të saj janë vetë funksionarët e policisë?!”, tha Kokëdhima.
Ndër të tjera, sipas ish-deputetit socialist, fermerët që kanë kultivuar kanabis gjatë viteve të fundit nuk kanë patur asnjë përfitim por janë shpërblyer vetëm me thërrime.
“Nga ky prodhim masiv i kanabisit nuk përfituan fermerët dhe njerëzit e varfër të këtij vendi. Ata morën vetëm disa thërime kryesisht si punëtorë me mëditje në plantacionet e prodhuesve të mëdhenj. Edhe fshatarët që bënë nga pak prodhim për vete u detyruan ta shesin me çmime në, ose nën kosto. Shumë prej tyre e kanë shitur “me të pritur” që pothuajse duhet të jenë me shumë fat të fitojnë ato që hodhën, sepse mund edhe të mos marrin mbrapsht asnjë lek. Të implikuarit në ekonominë e drogës, mund të shantazhohen e përdoren në çdo kohë.”, shton Kokëdhima.
Themeluesi i lëvizjes “Zgjidhja” kujton edhe njëherë se zgjidhja për kanabizin është pikërisht legalizimi dhe tregon se këtë e ka edhe në program.
“Programi i ZGJIDHJE-s për kanabisin është realist, i mundshëm dhe efektiv; është edhe në përputhje me trended kulturore dhe të tregjeve në botën e civilizuar. Shqipërisë i duhet legalizimi i marijuanës për qëllime farmaceutike dhe industriale, dekriminalizimi i përdorimit, kontrolli i plotë dhe absolut i shtetit mbi prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e produkteve dhe nënprodukteve të saj, kontrolli dhe pastrimi i policisë nga çdo person i implikuar. Mafia e hashashit mund ta reduktojë prodhimin për vitin 2017 sepse duhen likujduar stoqet e mëdha të vitit 2016.”, deklaron Kokëdhima. (D.D/Shuplaka)