Sot është hedhur shorti për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kolegjit të Apelimit, që është një ndër organet më të rëndësishme të Vettingut.
Mësohet se kryetarja e Kolegjit të Apelimit është zgjedhur Natasha Mulaj. Kryetarja e re u zgjodh me votim nën monitorimin e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Në votim morën pjesë Sokol Çomo, Ardian Hajdari, Ina Rama, Luan Daci, Rezarta Schultz dhe Albana Shtylla. Shtatë anëtarët e Kolegjit të Apelimit votuan për zgjedhjen e Mulajt si kryetare.
Drejtoresha e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për Reformën në Drejtësi, Genoveva Ruiz Calavera, e konfirmoi e para lajmin për emërimin e kryetares së re.
17 kushtet e largimit të gjyqtarit apo prokurorit nga drejtësia
1.Kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të.
2.Ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë
3.Është kryer fshehje e pasurisë.
4.Është kryer deklarim i rremë.
5.Subjekti gjendet në situatën e konfliktit të interesit.
6.Kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur vazhdimin e detyrës.
7.Subjekti i rivlerësimit është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
8.Subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një komunikim jorastësor me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
9.Subjekti i rivlerësimit ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
10.Subjekti i rivlerësimit ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
11.Subjekti i rivlerësimit merr pjesë ose është i pranishëm në takime me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar.
12.Subjekti i rivlerësimit nuk rendit në listë një kontakt që është konstatuar nga prova të Besueshme.
13.Subjekti i rivlerësimit nuk rendit në listë një kontakt, i cili përforcohet ose konsiderohet i besueshëm nga informacione të shërbimeve të fshehta dhe të besueshme.
14.Kur rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale.
15.Kur subjekti i rivlerësimit ka treguar cilësi të papranueshme në punë.
16.Kur subjekti i rivlerësimit ka treguar gjykim të dobët, nuk ka respektuar normalisht të drejtat e palëve ose viktimave.
17.Kur subjekti i rivlerësimit nuk është efektiv, në atë shkallë sa programi i trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës nuk mund ta zgjidhë këtë çështje për një vit. (D.D/Shuplaka)
NATASHA MULAJ