Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e padisë së Idajet Beqirit, duke konfirmuar kështu mbajtjen e zgjedhjeve në 30 Qershor.
Në këtë mënyrë Kolegji nuk njeh as vendimin e presidentit Meta, i cili shtyu datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, për një datë të mëvonshme, të dakordësuar mes forcave politike në vend.
Në mbledhjen e sotme të Kolegjit Zgjedhor ishin pjesë dhe përfaqësues të KQZ-së, të cilët e konsideruan dekretin e Metës joligjor dhe nul, ndërsa shtuan se situata do të ishte ndryshe në rast se do të kishte dhe një datë të re për zgjedhjet.
Ky skenar duket të ishte parashikuar nga socialistët që në ditët e para të vendimit të Metës për shtyrjen e zgjedhjeve, pasi i mëshuan fort idesë se dekreti i Metës duhej të shqyrtohej në KQZ dhe më pas në Kolegj, dhe jo në Gjykatën Kushtetuese siç deklarojnë juristë të ndryshëm.
Vendimi i tanishëm i Kolegjit është i pakundërshtueshëm, duke bërë që dhe kreu i Partisë për Unitet Kombëtar, Idajet Beqiri të bëhet pjesë e zgjedhjeve.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i mëtejshëm i forcave opozitare, të cilat këtë javë kanë deklaruar se do të protestojnë në çdo qytet ku do të jetë i pranishëm për fushatë kryeministri Rama.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post