Ai tregon në një intervistë për gazetën “Panorama”, se asnjë pistë nuk duhet përjashtuar, madje edhe hakmarrja duhet të verifikohet, por pa shpenzuar shumë kohë në atë drejtim, pasi ka shumë arsye që Cuku të jetë vrarë për shkak të funksionit që ka pasur në Polici.
“Në momentet e para faktikisht ka qenë shumë i trishtuar për largimin. E përjetoi në një mënyrë jo të mirë dhe ishte shumë i rënduar për shkak të largimit, derisa filloi dhe u angazhua me policinë private”, rrëfen Hajdari pë momentin kur Cuku u lirua nga detyra në Policinë e Shtetit.
Hajdari ka treguar si e ka njohur Artan Cukun dhe flet për pasionin e ëndrrën që ai kishte për t’u rikthyer në Polici.
Kur ka qenë hera e fundit që jeni takuar me Artan Cukun?
Si fillim më lejoni që të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e kolegut tim, edhe në emër të Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim. Me Tanin jam takuar para 3-4 javësh. Pimë një kafe dhe biseduam kryesisht për problemet e shoqatës. Takoheshin dhe bisedonim vazhdimisht edhe për shkak të miqësisë që kemi pasur.
Gjatë bisedave që kishin bërë, ju ka folur për ndonjë kërcënim apo problem që mund të kishte?
Jo vetëm në këtë takim, por edhe në takime të mëparshme që kemi pasur, të vazhdueshme po them, sepse takoheshim shpesh, nuk kam konstatuar ndonjë shqetësim të tij apo të më ketë folur ai rreth ndonjë problemi të kësaj natyre, që të ndihej i kërcënuar apo të ndihej i pasigurt. Absolutisht asnjëra nga këto. Nisur nga padia që ai kishte bërë për lirimin e tij nga Policia e Shtetit, dukej që Artan Cuku kishte një dëshirë për t’u rikthyer në Polici.
A vazhdonte ta kishte sërish këtë dëshirë?
Unë e kam biseduar me Tanin edhe vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë, pasi në këtë vendim ai mori kthim në detyrë, ndërsa Gjykata e Apelit, për shkak të procedurave dhe një vendimi të Gjykatës së Lartë, e ktheu këtë vendim në 12 paga dëmshpërblim për lirim të padrejtë, por nuk vendosi kthim në detyrë. Realisht në të gjithë anëtarët e Shoqatës, që aktualisht janë mbi 1 mijë anëtarë, Tani ka qenë më i vendosur për t’u rikthyer në detyrë. Një nga ëndrrat që ai e ka marrë me vete ka qenë rikthimi në detyrë. Ishte shumë i pasionuar pas këtij profesioni.
Si e përjetoi Artani largimin nga Policia e Shtetit?
Në momentet e para faktikisht ka qenë shumë i trishtuar për largimin. E përjetoi në një mënyrë jo të mirë dhe ishte shumë i rënduar për shkak të largimit, derisa filloi dhe u angazhua me policinë private. Normalisht edhe në raport me shoqatën, apo angazhimin që ka pasur shoqata nëpër protesta, Tani nuk ka qenë shumë i pranishëm edhe për shkak të punës që bënte, por edhe për shkak se e kishte mendjen për t’u rikthyer në Polici.
Si jeni njohur me Artan Cukun? Ka pasur ndonjë moment që keni punuar bashkë si kolegë?
Tanin unë e njoh që në vitin 2002, kur ai ka qenë shef Krimesh në Komisariatin e Policisë së Durrësit. Kemi pasur marrëdhënie shumë të mira, shumë korrekte, kemi pasur bashkëpunim të vazhdueshëm për shkak të objekteve të punës tonë. Ka qenë një njeri shumë i përkushtuar pas profesionit. Nuk e kishte këtë përkushtim thjesht për shkak se ishte një oficer shumë i mirë policie, por e kishte pasion. Tani bëri një karrierë, ndoshta ndryshe nga të tjerë, që i mori detyrat sipas shkallëve të karrierës, pa bërë kapërcime. I ka bërë të gjitha detyrat me radhë, derisa mori edhe gradën më të lartë “Drejtues i Parë” dhe u emërua drejtor i Policisë së Vlorës. Edhe gradën e fitoi me konkurs.
Gjatë drejtimit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku drejtoi disa operacione të rëndësishme, rihapi disa dosje të vjetra, madje pas hapjes së njërës prej tyre mori edhe një kërcënim. Si i përjetonte ai situata të tilla, a u ndie në ndonjë moment nën presion?
Tani ka qenë njeri që nuk impresionohej për shkak të situatave të tilla në Polici. Edhe nëse ka pasur probleme të tilla, nuk më ka shprehur shqetësime, të paktën për këto tri vite që kemi qenë pothuajse gjithë kohën bashkë. Gjithsesi, edhe nëse ka ndodhur, Tani e ka kaluar me sportivitet pa i dhënë shumë rëndësi.
Si e mësuat ngjarjen e së shtunës, vrasjen e Artan Cukut?
Në momentin që ka ndodhur vrasja, unë nuk kam qenë në Tiranë. Kam folur me ish-zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, i cili me njoftoi për vrasjen e Tanit. Në momentin e parë u shokova. Ishte diçka shumë tronditëse. Kjo pjesa që ne kemi dalë në lirim na ka bashkuar edhe më shumë me njëri-tjetrin. Në atë moment kam kërkuar që të gjithë oficerët e Shoqatës të jenë prezentë në vendin e ngjarjes, jo thjesht për të parë veprimet e Policisë, por për të qenë pranë familjes së Tanit.
Policia ka ngritur disa pista dhe deri tani nuk përjashton asnjë pistë. Ju, cilën pistë shihni si më të rëndësishmen, apo jeni të prirur të besoni si motiv të mundshëm të ngjarjes?
Pistën e hakmarrjes nuk mund ta përjashtoj, kjo edhe për shkak të etikës, pasi ishte ish-drejtues policie, dhe jam shumë dakord që të hetohet edhe në atë drejtim. Duhet të verifikohet patjetër. Duke folur si punonjës Policie, ju them se normalisht që ajo pistë duhet hetuar dhe vlerësuar, pasi në momentin e parë që ndodhi ngjarja, kujtdo punonjësi policie ajo ishte e para që i ka shkuar ndër mend. Por, duke ndjekur dinamikën e ngjarjes, momentin kur është vrarë Artani, duke ndjekur edhe çfarë është thënë në media, unë personalisht mendoj që Policia nuk duhet të shpenzojë burime njerëzore apo kohë të tepërt në këtë lloj piste. Në kuptimin që duhet të përqendrohet edhe në pista të tjera. Në pista që për mendimin tim janë më me vlerë për hetimin, sesa pista aktuale ku janë përqendruar hetimet. Mbase ky është edhe një plan i Policisë apo Prokurorisë për të larguar vëmendjen nga pista më konkrete. Por me aq sa kam ndjekur unë këto ditë duket sikur përqendrimi i grupit hetimor është te kjo pistë. Personalisht mendoj se lidhur me vrasjen e Artan Cuku duhet të hetohet në drejtim të të gjitha funksioneve që ai ka pasur në Polici. Grupet kriminale që ai ka goditur, sepse nga statistikat e kohëve të fundit kur ai ishte në detyrë janë të paktën 10 operacione me rrezikshmëri të lartë, qoftë kur ishte drejtor në Vlorë, qoftë kur ishte zv.drejtori i Policisë së Tiranës. Prandaj unë besoj që Policia nuk duhet të përqendrohet vetëm te një pistë hakmarrjeje, pasi ka shumë e shumë pista të tjera për shkak të detyrës ku mund të kryhen hetime.
Ju a keni besim se kjo ngjarje do të zbardhet?
Unë uroj që vrasja e Artan Cukut të zbardhet, për të qenë edhe familja e qetë, për t’u vendosur drejtësia në vend, qoftë edhe për të dalë motivi se përse ndodhi kjo ngjarje. Por mënyra se si po heton Policia, për momentin më duket si një hetim i avashtë, i vakët, pa ndonjë plan të mirorganizuar. Është ndër ato ngjarje që meriton një hetim të plotë, intensiv dhe serioz nga të gjithë strukturat e Policisë dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sepse është rasti i parë që një drejtues i lartë policie vritet 3 vjet e gjysmë pasi ka lënë detyrën. Është një tronditje shumë e madhe. Unë e lidh edhe me mesazhin që jep bota e krimit, qoftë ndaj oficerëve të Policisë që janë në detyrë, qoftë ndaj oficerëve të Policisë që janë në lirim, qoftë edhe ndaj vetë shtetit. Unë këtë e shoh si një sfidë ndaj Policisë, ndaj qeverisë.
Pas kësaj ngjarjeje, a ndiheni ju, ish-drejtuesit e lartë të Policisë që sot jeni në lirim, të rrezikuar dhe të ekspozuar përballë krimit?
Unë gjej rastin t’i bëj thirrje ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të rishikojnë pozicionet e punonjësve të Policisë që janë liruar, sepse njësoj si Artan Cuku edhe ata janë të rrezikuar dhe të ekspozuar përballë krimit e nuk kanë asnjë lloj sigurie që e njëjta gjë nuk mund t’u ndodhë edhe atyre. Të gjithë janë oficerë të të përgatitur, për të cilët shteti ka investuar për profesionalizmin e tyre dhe të gjithë u liruan me një të rënë lapsi të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pa motiv ligjor, pa një shkelje të konstatuar, pa asnjë bazë. Përgjegjësinë e di që nuk e mban askush nga zyrtarët, por të paktën nderimin e fundit duhej t’ia bënin Artan Cukut. Të gjithë e vunë re mungesën e Kryeministrit në homazhe dhe mungesën e një reagimi të tij, kur ai gjen rast të reagojë për gjithçka. Kur ishte kryetar i opozitës, ai ka marrë pjesë të homazhet që janë bërë për të gjithë punonjësit e Policisë që janë vrarë për shkak të detyrës. Në emër të Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim 2013 kërkoj zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe vendosjen e autorëve të këtij krimi makabër para drejtësisë.
(M.D/ Shuplaka)