Më 15 Mars, para shtatë vitesh filloi lufta në Siri. Në këto shtatë vjet perëndimi ka bërë shumë gabime. Por nuk mund të thuhet me siguri, nëse ai mund ta shkurtonte periudhën e luftës.
Lufta në Siri është një rast për lëndën e historisë fiktive -çfarë do të ndodhte sikur? Por më shumë kjo çështje shtrohet po t’iu referohesh shteteve perëndimore. Si do të kishte shkuar rrjedha e kësaj lufte, nëse perëndimi do të kishte vepruar ndryshe? Pyetja nuk është edhe aq e pavlefshme, sepse ajo lidhet me fate të panumërta, që ndoshta mund të jetonin ende, nëse perëndimi do të kishte reaguar ndryshe.
Nga pikëpamja e sotme historia e vendimeve europiane është sidomos një histori e shanseve të humbura. Rasti më i njohur ishte në vitin 2013: Kur po qartësoheshin shenjat, se regjimi i Asadit kishte përdorur gaz helmues kundër popullsisë së tij, presidenti Obama bëri fjalë “për vijat e kuqe” që po kaloheshin dhe paralajmëroi për pasoja. Kur vërtet u përdor gaz helmues, Obama nuk veproi. Ai e injoroi gazin apo paralajmërimet e tij, apo të dyja së bashku.
Obama dhe “vijat e kuqe”
Me këtë u fshi edhe mundësia e fundit për t’i treguar kufijtë regjimit të Asadit. Ende ai nuk ishte plotësisht nën mburojën e Iranit dhe Rusisë, të paktën jo në atë masë, si aktualisht. Ende të paktën ekzistonte një drejtpeshim forcash, që e bënte të përfytyrueshëm një intervenim të SHBA dhe partnerëve të tij. Obama e humbi këtë shans. Për këtë ai vërtet ka pasur arsye të forta. Intervenimi amerikan në Irak, një dekadë më pas në atë kohë- kishte dalë si një katastrofë politike, morale dhe propagandistike. Intervenimi i pamenduar, mbi bazën e gënjeshtrave të padurueshme e bëri SHBA të dukej një fuqi neoimperiale arrogante -një imazh, nga i cili SHBA as sot nuk është shëruar. Nga këto arsye një intervenim i ri në Siri mbante rreziqe.
Por po kaq peshonte edhe rreziku strategjik. Në fund të fundit nuk ishte mundur të parashikohej se si do të ishte fundi i këtij misioni. Do të ishte dorëzuar Asadi? Do ta kishin pranuar Rusia dhe Irani këtë marshim në Siri? Do të kishte ngritur Obama pjesë të botës islame kundër vendit të tij? Shiitët por ndoshta edhe sunitët? Do të thoshte ky intervenim edhe atentate të tjera terroriste në SHBA apo Europë?
Çmimi i pasivitetit
Nuk ka dyshim që një ndërhyerje amerikane mund të kishte pasur pasoja fatale. Dilema është se po kjo vlen edhe për vendimin që të mos ndërhyhet. Situata e sotme është e njohur: Rusia dhe Irani kanë marrë frenat në dorë në Siri e janë kaq shumë brenda vendit saqë një intervenim i perëndimit është i pamundur. Kërkesat e Uashingtonit dhe kryeqyteteve europiane se Asadi duhet të largohet janë bërë fjalë boshe dhe të parëndësishme. Nuk luan më rol, se çfarë dëshiron perëndimi. As gjestet e tronditjes nuk prekin më askënd. Më shumë se kaq: Që SHBA që para fillimit të luftës kishin luajtur me strategji të ndryshme për rrëzimin e Asadit, strategji që me gjasë mund ta kishin zhytur po ashtu vendin në kaos, kjo i nxjerr ato si një vend me qëllime të dyshimshme./DW