Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e anëtarit të Vettingut, Lulzim Hamitaj. Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe Këshilltari në Grupin Parlamentar të PD-së për çështje ligjore Gazmend Bardhi, kanë zbuluar se Hamitaj ka aplikuar me certifikatë anglishteje të falsifikuar.
Sipas PD-së, anëtari i vettingut Lulzim Hamitaj në vitin 2016 ka aplikuar për pedagog pranë Universitetit Europian të Tiranës, ku ka deklaruar se zotëron nivelin fillestar B1 të gjuhës angleze. Ndërkohë një vit më vonë, në 2017-ën, ka aplikuar për pozicionin e Komisionerit të Vettingut, me një çertifikatë të zotërimit të gjuhës angleze në nivelin më të përparuar, C1, të lëshuar në vitin 2015 nga Qendra e Gjuhëve të Huaja Tiranë.
“Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se shtetasi Lulzim Hamitaj, në datën 6 prill 2015, ku pretendon se ka dhënë provimin dhe është pajisur me çertifikatë të zotërimit të gjuhës angleze, nuk ka qenë në Shqipëri!”, shprehet PD.
Ndërkohë nga ana tjetër Partia Demokratike i kërkoi prokurorisë që të nisë menjëherë procedim penal ndaj Komisionerit të Vettingut Lulzim Hamitaj për falsifikimin dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të cilat i ka depozituar pranë organeve shtetërore dhe për të cilën Kodi Penal parashikon dënim deri në 4 vjet burgim.
(J.D/Faxweb.al)