Në konferencën e përbashkët që pati me kryeministrin Edi Rama, në kryeministri, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Olivér Várhelyi, u shpreh optimist për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Várhelyi deklaroi se është shpresëplotë që negociatat të nisin përpara samitit të Zagrebit dhe sipas tij për këtë po “punojmë me kryeministrin por edhe me shtetet anëtare”.
“Të vazhdohen reformat që po kryhen. Sot Kryeministri njoftoi për një element të ri, domosdoshmëri absolute, por pasi të jenë çelur negociata ju do ta shihni që do të jenë të nevojshme reforma edhe më dinamike. Unë e kam mirëpritur angazhimin e qeverisë lidhur me këtë çështje”- tha ai.
Várhelyi tha se për të bërë të mundur integrimin e plotë të Shqipërisë, është i nevojshëm angazhimi i të gjitha partive politike në vend, dhe këtë mesazh do tia përcillte dhe opozitës në takimet që do të ketë me ta gjatë ditës.
“Duhet që gjitha partitë politike në vend të ndihmojnë për ta bërë këtë realitet se është e qartë që pa mbështetjen të gjitha partive nuk do të jetë e mundur të ketë përparim dhe unë do të flas edhe me opozitën sot që të na ndihmojë që këtë cështje ta bëjmë sukses dhe ta përdorim këtë mundesi edhe më tej pasi të jenë çelur negociatat”- u shpreh Komisioneri.
Ndërkohë që Várhelyi foli me superlativa dhe për procesin e Vetingut, ndërkohë që kërkoi të ketë më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar.
“Vetingu ka treguar vendosmërinë por edhe rezultat për të zbatuar këtë reformë, mirëpres marrëveshjen për reformën zgjedhore dhe ky është një gur shumë i rëndësishëm, janë lajme të mira, por ka ende sfida përpara, duhet të bëjmë shumë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin e për këtë duhet të punojmë së bashku”.
Duke çmuar punën e bërë nga Shqipëria, ai ka ndarë edhe një lajm të mirë, për një rritje të mbështetjes ekonomike në drejtim të vendit tonë.
“Ju jap edhe një lajm të mirë, duke pasur parasysh punë e mirë të bërë nga Shqipëria nga fondet e paraaderimit, kemi mundësi të japim 28 mln euro për shpërblim për performancën e mirë që është bërë. Lajm të mirë edhe nga PE, por ai ka një procedurë që duhet ta ndjekë, por propozimin e kemi cuar në PE dhe besoj se gjithçka do të vazhdojë shumë shpejt”- tha ai.
(E.K/Faxweb.al)