Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos e cila ndodhet në Shqipëri, nga qyteti i Elbasanit ku iu bashkua festimeve për Ditën e Verës, dha një mesazh për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
Kos tha se Shqipëria ka ecur me reformat, por u shpreh se ka ende punë për të bërë deri në anëtarësimin e BE. Në një prononcim për gazetarët Kos tha se nëse ecet me këto ritme, gjithçka do të përfundojë në 2027.
“Unë pata mundësinë që të takohesha me aktorë politikë, mund të them që Shqipëria ka ecur në mënyrë të mrekullueshme, po ka ende shumë punë dhe reforma për të bërë. Por në rast se ecet me ritmin që ka qenë deri tani, atëherë patjetër që do të përfundohet gjithçka në 2027″, u shpreh Kos.
Ajo përgëzoi qytetarët shqiptarët për gjithçka që kanë arritur. “Duke vijuar me këtë ritëm pune dhe me atë pasion shpresoj që së shpejti BE të mos jetë me 27 shtete, por me 28 vende kur Shqipëria të bëhet shtet anëtar”, tha Kos.
Kos uroi shqiptarët për Ditën e Verës, tregoi edhe arsyet pse vendosi dy verore: “Më thanë që këto sjellin fat, prandaj vura dy një për Shqipërinë një për BE që të jenë fatsjellëse”.
“Është hera e parë që vij është kënaqësi që kam ardhur në Elbasan në Ditën e Verës në këtë ditë kaq të bekuar për qytetin tuaj”, tha Kos.
Kos tregoi se ishte në Elbasan për të parë nga afër projektet që mbështeten me fondet e BE-së.
“Kam pasur mundësi të shkoj në disa projekte shumë të rëndësishëm që financohen nga BE. Pikë së pari, në patëm kënaqësi që të takojmë disa gra që bëjnë qilima të mrekullueshëm, biseduam me to për të shkuarën e tyre dhe pastaj shkuam edhe në një projekt tjetër që financohet me fondet tona dhe është një projekt që ndihmon gratë e dhunuara. Ishte e vështirë, por edhe inkurajuese që të bisedonim me to. Ndërkohë gjëja më e bukur ishte se shkuam tek shkolla “Dhaskal Todri” dhe biseduam me nxënësit e asaj shkolle që ishin të mrekullueshëm”, tha Kos.
“Në fakt në do të përpiqemi që këto fonde të vijojnë në mënyrë që këto projekte të vijojnë punë. Ajo që kam fort për zemër janë ato që kanë të bëjnë me rininë dhe brezat e ardhshëm”, u shpreh Kos.atsh