Publikimi i Raportit për Shtetin e së Drejtës 2025 për Shqipërinë shënon një moment të rëndësishëm në vlerësimin e progresit të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, duke na vënë në një bazë krahasimi me shtetet anëtare të BE për katër fusha kryesore të shtetit të së drejtës: sistemin e drejtësisë, antikorrupsionin, lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Drejtësia
Raporti vlerëson progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë përfundimin në shkallë të parë të procesit të vettingut dhe miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030. Është përmirësuar infrastruktura gjyqësore dhe është ndarë buxhet për sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve. Megjithatë, sfida të tilla si mungesa e burimeve njerëzore, koordinimi ndërinstitucional dhe tejzgjatja e proceseve gjyqësore mbeten për t’u adresuar.
Antikorrupsioni
Miratimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe performanca e SPAK në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë janë vlerësuar pozitivisht. Janë përmirësuar hetimet financiare dhe konfiskimi i aseteve. Sfidat përfshijnë perceptimin e korrupsionit në administratën publike, monitorimin e zbatimit të strategjisë dhe përmirësime të mëtejshme në kuadrin ligjor.
Liria e Medias dhe Pluralizmi
Raporti përshëndet transparencën e rritur mbi pronësinë e mediave audiovizive. Megjithatë, shprehet se punë mbetet për të fuqizuar pavarësinë e AMA dhe të transmetuesit publik, si dhe për të adresuar përqendrimin e pronësisë mediatike, shpërndarjen e reklamave shtetërore dhe presionin ndaj gazetarëve.
Institucionet dhe Kontrolli Demokratik
Gjykata Kushtetuese ka funksionuar në mënyrë efektive gjatë kësaj periudhe. Sfidat përfshijnë cilësinë e procesit legjislativ, polarizimin politik dhe vonesat në emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë veprimtarinë të lira dhe udhëzimi i ri për TVSH-në adreson nevojat e shoqërisë civile për një kuadër fiskal ndihmues si dhe raporti ka përshëndetur përgatitjen e projektligjit të ri për vullnetarizmin.
Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025 për Shqipërinë ofron një pasqyrë të qartë të progresit dhe na mirorienton në rrugën drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe integrimit evropian për Shqipërinë 2030.