Komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit Meta, do të mblidhet rreth orës 13:00 të premten, ndërsa në rend dite është parashikuar marrja në pyetje e kreut të KED, Ardian Dvorani.
Dvorani është paditur në SPAK nga Presidenti Ilir Meta, i cili e akuzon për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore”.
Kreu i KED akuzohet nga Presidenti se “ka tentuar të bëjë grusht shtetit”, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni Hetimor për presidentin Meta ka nisur punë pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, dhe është shtyrë seancë pas seance, me pretendimin e grumbullimit të provave të reja.
Tashmë është vendosur një çështje shtesë për hetimet, siç është përplasja institucionale mes presidencës, KED dhe qeverisë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Në këtë çështje ka ndërhyrë dhe Komisioni i Venecias, që ka ardhur disa herë me mision faktmbledhës në Shqipëri, dhe tha se presidenti Meta nuk ka kryer shkelje Kushtetute në dekretin për 30 Qershorin.
Në ditët në vijim pritet që Venecia të japë një mendim dhe për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që presidenti ka thërritur tubim në 2 Mars.