Komisioni Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS ka nisur me debate mes mazhorancës dhe opozitës. Kryetari i Komisionit, Ervin Salianji gjatë fjalës së tij tha se kryeministri Edi Rama është jashtë juridiksionit të shtetit, pasi prej tre javësh nuk kthen përgjigje.
Ai më tej shtoi se Prokuroria e Tiranës nuk është përgjigjur ndërsa ironizoi se kjo prokurori ka shumë punë duke iu përgjigjur kryeministrit brenda gjysmë ore.
“Janë depozituar në sekretari dy shkresa, një me titull propozimi i strategjisë së hetimit dhe një plani i hetimit për TIMS. Besoj se nuk kemi strategji, por kemi direkt plan hetimi dhe do ta arrijmë që ta kapërcejmë këtë. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe mes dy propozimeve,” tha Salianji.