Ushtria shqiptare do të fuqizohet me 2100 forca rezerviste deri në vitin 2030.
Ky është synimi i projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë, që u miratua sot (26 Nëntor) në Komisionin e Ligjeve.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu sqaroi se përmes kësaj nisme synohet të rritet forca ushtarake në dispozicion si për misione jashtë vendit ashtu edhe për përballimin e fatkeqësive natyrore.
Për t’u bërë rezervistë të drejtën do ta kenë të gjithë shqiptarët e padënuar e po ashtu edhe ish-ushtarakët.
“Mund të angazhohen shtetas të padënuar, ish ushtarakë por edhe të tjerë që nuk kanë qenë ushtarak. Pranohen deri në 50 vjeç për rezervistë, 55 vjeç për nën oficer dhe 60 vjeç për oficer”, tha Vëngu.
Rezervistët do të merren edhe nga diaspora, ndërsa angazhimi do të jetë vullnetar dhe i paguar.
“Synojmë të kemi një program të dedikuar për rezervistët në diasporë. Kostoja do të jetë 1.6 miliardë lekë në vit, nëse marrin të mirëqenë që deri në 2030 do kemi 2100 rezervistë. Paga do të jetë sa paga mesatare e ushtarakëve, prej 46 mijë lekë të reja dite pa kosto të tjera”, tha Vëngu.
Kohëzgjatja e shërbimit rezervistë do të jetë nga 14-45 ditë në vit, por ky afat mund të zgjatet nëse rezervisti firmos kontratën për të marrë pjesë në misione ushtarake jashtë vendit. Kush do të bëhet pjesë e rezervës do të ketë kontratë shërbimi jo më pak se 2 vite me të drejtë rinovimi.