Është mbledhur sot Komisioni hetimor për Shëndetësinë, Sterilizimin dhe Check Up, ku prezentë, ndryshe nga mbledhjet e fundit të mbajtura, ka qenë edhe Opozita.
Kryetarja Albana Vokshi vuri theksin tek paligjshmëria e mbledhjeve të fundit pa prezencën e opozitës në Komision, ku përfaqësuesit e mazhorancës kanë caktuar orare dhe emra dëshmitarësh, që janë dëgjuar pa u mbledhur Kryesia për mbledhjen.
Teksa PS ka njoftuar marrjen e dëshmive të fundit, ku pritej mbyllja e Komisionit hetimor ditën e nesërme me dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqja, Vokshi u shpreh kundër, duke kërkuar zbatimin e Rregullores dhe madje thirrjen e kryeministrit Edi Rama për dëshmi. Deputetja e PD këmbënguli se “ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshmuar edhe Edi Rama” dhe që Komisioni të shtyhej me afat për 2-3 javë.“Zbatoni rregulloren, Kushtetutën, ligjin për Komisionet Hetimore.
Të shtyhet me 2-3 javë afati për Komisionin, lista e dëshmitarëve e paezauruar. Të bëjmë transparencë për koncesionet kriminale, abuzive, hajdutët e parave, vjedhësit. Të jetë edhe Edi Rama në këtë komision. Ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshminë e kryeministrit Edi Rama. A do e bëjmë së bashku këtë Komision apo do e bëni me hanin me dy porta të Surrelit dhe do ruani hallin e Edi Ramës. Nuk po respektohet rregullorja, nuk janë respektuar dhe njoftuar oraret”.
Edhe anëtari Petrit Vasili, përfaqësues i Partisë së Lirisë, denoncoi njëanshmërinë nga mazhoranca dhe caktimin e mbledhjeve pa prezencën e opozitës, duke shkelur Rregulloren për oraret.
“Ka parregullsi shumë të mëdha. Nuk ka mundësi të mbyllet në datën 22, të mblidhet Kryesia dhe të diskutohet. janë të pamundura nga ana proceduriale”, tha ai.