Nga Gjergj Erebara
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh më 22 maj 2017 në një “sesion të jashtëzakonshëm” në kompromis mes dy partive të mëdha PS dhe PD për të votuar shkarkim/emërim ministrash dhe ndryshime të shumta të ligjve, përfshirë ligje të rëndësishme si Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal.
Teorikisht, koalicioni i madh mes PD dhe PS do të duhet të prodhojë më 25 qershor zgjedhje të pakontestueshme. Por këto zgjedhje vështirë se mund të jenë të lira, të ndershme e në përputhje me dokumentin e Kopenhagës.
Ndryshimet e miratuara falë këtij kompromisi në korpusin e ligjeve në thelb përbëjnë shkelje të shumta të parimeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe të vetë kritereve kushtetuese aktuale të Shqipërisë, si sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve, ashtu edhe sa i përket procesit ligjvënës.
Ligjet në një vend demokratik nuk kanë nevojë vetëm për një shumicë parlamentare për t’u miratuar. Ligjet duhet gjithashtu t’i nënshtrohen procedurave të miratimit të tyre, përfshirë publikimin e projektligjit, diskutimin në komisione parlamentare dhe miratimin e botimin në fletoren zyrtare, si dhe hyrjen në fuqi, vetëm dy javë pas botimit në fletoren zyrtare. Por kjo nuk është ajo që po ndodh aktualisht. Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal pritet të miratohen menjëherë, krahas ligjeve të tjera, ato pritet të hyjnë në fuqi ende pa u botuar, duke shkelur çdo lloj principi për një proces të rregullt. Për rrjedhojë, zgjedhjet e 25 qershorit, me gjasa do të jenë të pakontestuara, në kuptimin që humbësi i mundshëm i zgjedhjeve, qoftë PS apo PD, nuk ka të drejtë morale të ankohet, por këto zgjedhje nuk do të jenë të lira dhe të ndershme, e aq më pak, demokratike, pikërisht për shkak të ndryshimeve të rregullave të lojës vetëm një muaj para zhvillimit të zgjedhjeve.
Kushtetuta aktuale e Shqipërisë në frymë dhe në thelb ndalon Kuvendin të miratojë ligje menjëherë para zgjedhjeve, e aq më pak, të ndryshojë rregullat e lojës për zgjedhjet pak para se të shpërndahet. Por nën frymën e “krizës”, parlamenti aktual po e bën këtë gjë dhe kjo përbën një akt jodemokratik. Kushtetuta aktuale ka krijuar një sistem antidiktaturë, në të cilin përshkruhen me detaje se si, një maxhorancë parlamentare, sado maxhorancë të jetë, të mos jetë në gjendje të imponojë një sistem zgjedhor sipas interesit të vet pak para zgjedhjeve. Kuptohet që gjatë 19 viteve të fundit, zgjedhjet janë bastardizuar në vijimimësi dhe kriteret kushtetuese janë shkelur me bollëk, duke krijuar hapësira të palogjishme apo duke nxjerrë jashtë loje kriteret bazë.
Në vitin 1998, Shqipëria miratoi një kushtetutë të re, e cila supozohej se do të vendoste themelet e një shteti demokratik, me pushtet të kufizuar dhe demokraci përfaqësuese. Neni 65 i saj, në variantin fillestar, (atë që i miratua më 1998) shkruan: Zgjedhjet për kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë “para mbarimit të mandatit”. Dhe pas kësaj, “kuvendi nuk nxjerr dot ligje 45 ditë para mbarimit të mandatit”, me përjashtim të situatës së jashtëzakonshme.
Një klauzolë e tillë synon në thelb që mandati i kuvendit të mos zgjatet në asnjë rast përtej afatit katër vjeçar, që zgjedhjet të zhvillohen në kohë të përshtatshme që ky afat të mos shkelet dhe që kuvendi ekzistues të mos abuzojë me miratime ligjesh e me ndryshime të rregullave të lojës ndërkohë që është në grahmat e fundit të jetës së tij. Kuptohet që kjo klauzolë e kushtetutës supozohej se do të funksiononte në një vend normal. Në zgjedhjet e vitit 2001, të parat e zhvilluara me kushtetutën e re, vetë zgjedhjet zgjatën pesë javë, pasuar me manipulime të turpshme në numërim e llogaritje rezultatesh si dhe ankimim e vendimesh abuzive të Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht, nëse normaliteti qe zhvillimi i zgjedhjeve 60-45 ditë para mbarimit të mandatit të parlamentit, me dy raunde me nga dy javë, numërimi i votave e ndarja e deputetëve në pjesën 60-45 ditë, në fakt, në vitin 2001 procedurat kërkuan mbi dy muaj e gjysmë. Data e parë e zgjedhjeve qe 24 qershori, dita kur banorët fshatit Dushk në Lushnjë votuan, qe 19 gushti dhe dita kur u mblodh parlamenti qe 3 shtatori 2001. Kjo mjaftoi për shkatërrimin e çdo parimi të mundshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mandati i parlamentit të mëparshëm mbaronte më 23 korrik 2001. Mandati i kuvendit të ri filloi më 3 shtator 2001. Zgjedhjet që pasuan për inerci krijuan këtë hendek mes datës së zgjedhjeve (zakonisht fund qershori) dhe mbarimit të mandatit të kuvendit (zakonisht fillim shtatori), duke shkatërruar parimin që kuvendi aktual nuk mund të ndryshojë rregullat e zgjedhjeve pak javë para se ato të mbahen.
Parimi që ligjet nuk mund të prodhoheshin si qofte para mbarimit të mandatit, e aq më shumë, të shërbenin për manipulimin e situatës zgjedhore sipas qejfit të një pale, sakaq u nxorr i pavlefshëm.
Kur flet për “përjashtim të situatës së jashtëzakonshme” kushtetuta i referohet një situate të cilën e ka përshkruar më poshtë, ku ndalon përdorimin e konceptit “gjendje e jashtëzakonshme” për të zhvilluar zgjedhje, për të ndryshuar kushtetutën, ligjin zgjedhor etj. Shkurt, zgjedhjet, që të konsiderohen normale dhe të drejta e të ndershme, duhet të zhvillohen me afate kohore të përcaktuara qartë dhe pa ndryshim rregullash në periudhën menjëherë para zgjedhjeve. Neni 82 i Kushtetutës përcakton një parim tjetër: kuvendi nuk mund të shqyrtojë një ligj brenda një nate dhe ta miratojë atë menjëher në mëngjes. Dhe kur vjen puna për kodin zgjedhor, apo kodit penal, kushtetuta ndalon shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar. Dhe kur vjen puna që ligji ndryshohet sipas rregullave, ai sërish ka nevojë për së paku dy javë që të hyjë në fuqi.
Të gjitha këto, dukshëm i bëjnë ligjet që po ndryshohen aktualisht në kuvend në thelb antikushtetuese, në frymë dhe në procedurë, pavarësisht nëse ekziston apo jo shumica parlamentare për këtë gjë.
Në një situatë normale, kjo do të quhej një puç kushtetues. Kjo shpjegon se Shqipëria është në një situatë anormale, sido që nuk është aspak në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme./Marrë nga reporter.al