Komunisti Muharrem Xhafa reagon ashpër pas publikimit të një dokumenti nga historiani Kastriot Dervishi ku tregohej se Nexhmije Hoxha, gruaja e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha ishte anëtarësuar në Partinë Fashiste.
‘’Nexhmije Hoxhën e asnjë tjetër nuk e bëjnë pis neofashistët!’’, thotë Xhafa, i cili ka qenë shef i Propagandës në kohën e Partisë së Punës së Shqipërisë.
‘’Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në ndeshjen e egër midis fashizmit dhe antifashizmit, fitoi, jo pa sakrifica, antifashizmi, fituan popujt! Nazifashizmi u mposht!
Fshehur me fytyra të tjetërsuara e të maskuara në administratën e shtetit të diktaturës së proletariatit, bijtë fashistë të infiltruar ndjeheshin ngrohtë në gjirin e saj dhe të bënin gjëmën po të mundnin, duke u hequr më “besnikë” se komunistët e vërtetë! Sot këta lëvrijnë si krimbat në gjerize, për të ngjallur fashizmin, për të bërë pis e hedhur baltë mbi antifashistët, mbi vetë antifashizmin si filozofi e kulturë e re e shoqërisë njerëzore!
Po çfarëdo shkresash të sajuara e dokumentesh të falsifikuara të hedhin në treg në shërbim të borgjezisë, neofashistët e nostalgjikët e nazifashizmit, këta e të tjerë që u mbajnë ison për një kockë, cilëtdo qofshin, historia i ka damkosur dhe dënuar me vulen e turpit e të vdekjes! As Nexhmije Hoxhën, emblemën e gruas antifashiste shqiptare, e askënd tjetër nuk e bëjnë pis neofashistët!’’, komenton Xhafa.