Sociologu Ergys Mërtiri i ftuar në Fax News u shpreh se koncerti i Ermal Metës u përdor për interesa të qarta politike.
“Në gjykimin tim arti duhet të qendrojë larg politikës. Çështja është tek instrumentalizimi që pushteti përpiqet që t’u bëjë këtyre eventeve. Është normale që njërëzit të kenë simpati për Ermalin. Por në gjykimin tim përpjekja për të përdorur këtë lloj simpatie që një personazh arti krijon në publik, për intersa politike, elektorale, kjo në gjykimin tim është problematike. Shkrimi im ishte kundrejt kësaj shoqërië që nuk reagon ndaj përdorimit të çdo lloj eventi për interesa politike.
Fakti që kryetari i bashkisë del në skenën e një koncerti artistik, del dhe mundohet ta kthej atë në një propagandë të drejtëpërdrejtë, ashiqare, shumë vulgare, kaq goditëse, sa vetë në shesh pati njerëz që e vërshëllyen, kjo për mua tregon se jemi shoqëri shumë primitive.” u shpreh Mërtiri
Reagimi i Ergys Mërtirit për koncertin e Ermal Metës
Prania e madhe e njerëzve në koncertin e djeshëm të Ermal Metës është një lajm i keq që vetëm na tregon sesa derdimen ka mbetur ky popull.
Si mund të shkosh në një koncert të organizuar nga politika, për qëllime qartësisht dhe paturpësisht propagandistike, kur kjo politikë po ta nxin dhe vështirëson jetën çdo ditë, duke të varfëruar, përçudnuar, tallur e shpërfillur? Si mund të marrësh pjesë në ahengjet e një qeverisjeje që po e kthen gjithë kombin në emigrant potencial, duke mos mbetur më njeri me dëshirën të jetojë në atdheun e vet? Si mund të shkosh të zhgërryesh në cirkun e pushtetit, kur ai po ta bën jetën cirk me problemet që hap, ndërsa pushtëron me banda kriminelësh e trafikantësh, në mënyrën më të degjeneruar, të paparë ndonjëherë? Si mund të shkosh e të englendisesh në koncertet e shndërruara në fushatë elektorale nga një kryetar bashkie që po shkatërron me beton çdo resurs e çdo hapësirë të këtij qyteti duke ua vënë ato në shërbim oligarkëve, ndërsa po shtrydh me taksa, gjobëvënie, e mungesë shërbimesh çdo bulzë djerse të njerëzve që nuk merren me pisllëqe?
Po të jetë për dashurinë për artin, ky popull ka dhënë prova që nuk ia ndjen. Në këtë vend kanë ardhur Witesnake, Deep Purple, apo qoftë edhe Zucchero, nëse muzika italiane është më pranë shijeve të këtij publiku, dhe as ia ka ndjerë kujt.
Pjesëmarrja në koncertin e Ermal Metës, përtej vlerësimit për të tij si artist, tregon vetëm sesa dele jemi. Jemi viktima të mjera të marketingut e propagandës, qenie me një paaftësi të thellë për të menduar dhe gjykuar mbi atë që bëjmë. Jemi veç një turmë e bindur dhe nënshtruar që tërhiqemi prej hunde dhe shkojmë nga të na dërgojnë ata që na shkelin me këmbë. Turremi si bagëti drejt këmborës që tundin reklamat pa ditur për ku dhe pse, ndërsa zgjedhim për barinj, pikërisht kasapët.
Bukë dhe cirk, ishte formula e vjeter romake për ta mbajtur popullin në hutim e nënshtrim. Jo vetëm që këta 2 mijë vjet nuk na kanë shërbyer për ta kuptuar sesi na e fusin, por përkundrazi, jemi idiotizuar më keq. Këta na kanë hequr edhe bukën dhe na gënjejnë vetëm me cirk.
Bravo iu qoftë!
(M.Q/Faxweb.al)