Takimi i 4 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë është përmbyllur me konferencën e përbashkët të liderëve të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Maqedonisë. Pas hyrjes së kryeministrit Rama i cili u mor gjatë dhe thuajse tërësisht me mungesën dhe refuzimin e Kosovës për të qenë pjesë e bisedimeve, foli dhe Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë.
Ky i fundit foli me shumë mbresa për vizitën e tij në Shqipëri ndërsa u ndal dhe tek pasojat katastrofale të tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri duke premtuar ndihmë financiare, madje duke u shprehur se Serbia do të ishte një nga donatoret më të mëdha për rindërtimin e vendit tonë.
“Dua të falenderoj kryeministrin Rama për mikpritjen dhe që na çoi në Durrës ku pamë fëmijët dhe prindërit që humbën shtëpitë, një ngjarje e trishtë. Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim të hënën për të ndihmuar Shqipërinë me një vlerë domethënëse, do të jetë një ndër donatorët më të mëdhënj për Durrësin dhe Thumanën“, u shpreh Vuçiç në konferencën e përbashkët me 3 kryeministrat e tjerë të ballkanit.
Gjithashtu ai foli dhe për marrëveshjet që pritet të nënshkruhen mes 4 vendeve në funksion të lehtësimit të tregtisë së mallrave, menaxhimin e përbashkët të fatkeqësive natyrore si dhe hapjen e tregut të punës si dhe shkëmbimin e informacioneve mes autoriteteve.