Rreth gjysma e 46 personave në testuar për koronavirus në anijen “Grand Princess” në ujërat e Shteteve të Bashkuara janë konfirmuar si të infektuar. Lajmin e bëri të ditur nënpresidenti amerikan, Mike Pence. Nuk dihet fati i më shumë se 3500 pasagjerëve, të cilët vijnë nga 50 shtete të ndryshme.
Pence tha se në mesin e personave të infektuar janë 10 anëtarë të ekuipazhit dhe dy pasagjerë. Ai kërkoi nga personat e moshuar që t’i vlerësojnë me kujdes udhëtimet me anije gjatë kohës së krizës.
Nuk ka shumë hollësi në lidhje me atë se ku do të dërgohen personat e infektuar. Më parë, për izolimin e pasagjerëve të anijes “Diamond Princess” janë përdorur bazat ushtarake, shkruan “The Guardian”.
Ndërkohë në Florida u shënuan dy viktima të reja. Zyrtarët shëndetësorë thanë se personat e vdekur ishin në të shtatëdhjetat dhe më parë kishin udhëtuar jashtë vendit.
Shtetet e Bashkuara po planifikojnë që anijen me personat e infektuar ta dërgojnë në një port jokomercial, ku do të testohen të gjithë personat që ndodhen në të. Sidoqoftë, presidenti Trump tha se parapëlqen që këta pasagjerë të mos i lejojë fare që të shkelin në tokën amerikane.