Rreth orës 17:00 të ditës së sotme, në rrugën që të çon në fshatin Pobreg, punonjësi i Policisë Rrugore pranë DVP Kukës, Inspektor Q.D., është përfshirë në një konflikt fizik me disa persona, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Menjëherë pas ngjarjes, efektivi ka dhënë kallëzim pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë. Nga veprimet e para hetimore, është identifikuar një nga personat e përfshirë, me të cilin punonjësi i Policisë ka pasur një debat për shkak të detyrës disa ditë më parë.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, po punon për identifikimin e plotë të të gjithë personave të përfshirë dhe dokumentimin e ngjarjes në përputhje me ligjin.
Në të njëjtën kohë, shërbimet e Policisë po kryejnë kontrolle intensive për kapjen e personit tashmë të identifikuar.