Prej kohësh përflitet se ministrat teknikë të emëruar pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha, mund të shkarkohen para krijimit të qeverisë së re. Mirëpo gazeta Panorama shkruan se kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ministrave teknikë që të shkarkojnë nga detyra drejtorët e përgjithëm të emëruar nga Partia Demokratike.
Por ministrat teknikë nuk kanë pranuar shkarkimin e këtyre drejtorëve. Rama u kishte kërkuar ministrave që të qëndronin në detyrë që në shtator kur pritet të formohet qeveria e re, mirëpo sipas gazetës, ata mund të paraqesin dorëheqjen për shkak të kësaj kërkese të kryeministrit.
Kujtojmë se ministrat teknikë janë zgjedhur pas marrëveshjes së arritur mbrëmjes së 18 majit, mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Rama.
Pas emërimit të zëvendëskryeministres Ledina Mandia dhe 6 ministrave të tjerë, Partia demokratike emëroi edhe drejtorët teknikë të cilëve iu caktua detyra të ruanin administratën civile të mos merrnin pjesë në fushatë.
Për shembull në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNIt u emërua Ibrahim Morina. Arjan Bylykbashi u emërua drejtor teknik i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, apo Hipotekave, Arjan Hoxha u emërua drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Fadil Shahini, drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural dhe Haki Mustafa në krye të OSHEE-së. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post