Një konflikt ka ndodhur në Gramsh më datën 20 korrik. Sipas informacioneve zyrtare, 5 shtetas janë konfliktuar mes njëri-tjetrit për shkak të vendparkimit të automjeteve.
Është arrestuar 30-vjeçari me inicialet T.H për disa vepra penale dhe në kërkim është shpallur vëllai i tij, 26-vjeçari me inicialet R.H pasi dyshohet se ka qëlluar me armë sportive.
Sakaq, është në hetim, 20-vjeçari me inicialet M.M dhe 34-vjeçari me inicialet V.K.
Njoftimi i Policisë: Gramsh/Informacion shtesë për konfliktin e ndodhur mes disa shtetasve, mbrëmjen e datës 20.07.2023.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë konflikt, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasin T. H., 30 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim. Momentet e arrestimit të këtij shtetasi nga Policia, pas konfliktit, janë shfaqur edhe në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Gjithashtu, u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi R. H., 26 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se ky shtetas ka qëlluar me armë sportive.
Këta dy shtetas janë konfliktuar mbrëmjen e datës 20.07.2023, me 3 shtetas të tjerë, për shkak të vendparkimit të automjeteve.
Gjithashtu për këtë rast, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit M. M., 20 vjeç, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”, si dhe ndaj shtetasit V. K., 34 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Sqarojmë se të gjitha veprimet procedurale (shoqërimi, arrestimi) i këtyre shtetasve është bërë konform ligjit dhe procedurës standarde të punës së Policisë së Shtetit.
Vijon puna për kapjen e shtetasit R. H., si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.