Efektivët e Forcës Detare që morën pjesë në operacionin “Sea Guardian”, në Detin Egje, janë pritur sot me ceremoni në Vlorë.
Ceremonia e kthimit të 21 efektivave u zhvillua në Bazën Detare në Palishman, ku morën pjesë gjithashtu edhe zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantë të Forcave dhe familjarë të efektivëve pjesëmarrës në operacionin “Sea Guardian”.
Gjatë fjalës së tij, Koçi falenderoi djemtë e Forcave Detare për punën e tyre, të cilën e quajti si një mission i përfunduar me sukses.
“Ishte një mision i suksesshëm, i cili tregoi dhe njëherë profesionalizmin e detarëve tanë, kurajon, përkushtimin dhe disiplinën e lartë. Tregoi edhe njëherë që Shqipëria është një vend dinjitoz anëtar i NATO-s”, tha zëvendësministri i mbrojtjes.
Sakaq, edhe Komandanti i Forcës Detare, gjeneralmajor Ylber Dogjani, shprehu mirënjohje ndaj djemve të kontigjentit të parë, të cilët sipas tij treguan profesionalizëm gjatë periudhës së qëndrimit në zonën e operacionit, në Egje. (D.D/Shuplaka)