Kreu i PD-së, Lulzim Basha është thirrur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Tiranës.
Sipas burimeve të Fax News mësohet se Kreu i PD-së është thirrur për të dhënë shpjegim në lidhje me kontratën e lobimit në SHBA. Basha u paraqit në orën 09:00 në Prokurori.
Prokuroria thirri Bashën pas letërporosive të ardhura nga Skocia dhe SHBA. Basha do të pyetet në lidhje me kontratën 600 mijë dollarëshe të lobimit në SHBA.
Basha u thirr të enjten për tu njohur me aktet, mirëpo ai nuk u paraqit. Sipas pretendimit të PD-së, Basha nuk u paraqit sepse kërkesa për thirrjen e tij ishte e paligjshme.
PD-ja u shpreh se: “Bëhej fjalë për njohjen me letërporositë që kanë shkuar që në gusht në prokurori dhe i bejnë publike tani, sipas axhendës politike të Ramës. Pasi ne i thamë të enjten se kërkesa është e paligjshme dhe i shërben qeverisë, erdhi nje shkrese tjetër, e formuluar brenda kërkesave ligjore, që kërkon dëshmi në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.”
Në lidhje me mosparaqitjen e tij të enjten, Basha u shpreh se arsyeja ishte se prokuroria është politike. Kreu i PD-së është paraqitur sot në prokurori pas letërporosisë së dytë.
Mazhoranca ka hedhur disa ditë më parë akuza në lidhje me kontratat e lobimit të PD-së në SHBA, për faktin se nga vinin të ardhurat e lobimit. Basha është thirrur në Prokurori si person i cili ka dijeni për ngjarjen.
Në prokurori do të paraqitet edhe Arben Ristani si financier i PD-së. Ashtu sikurse Basha edhe Ristani është thirrur për tu pyetur në lidhje me financimet e këtyre kontratave të lobimit.
Pretendimi i PD-së:
Basha shkoi sot në prokurori, pasi prokuroria hoqi dorë nga kërkesa e paligjshme për thirrjen për njohje me aktet. Behej fjalë për njohjen me letërporositë që kanë shkuar që në gusht në prokurori dhe i bejnë publike tani, sipas axhendës politike të Ramës. Pasi ne i thamë të enjten se kërkesa është e paligjshme dhe i shërben qeverisë, erdhi nje shkrese tjetër, e formuluar brenda kërkesave ligjore, që kërkon dëshmi në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Njësoj si disa muaj më parë, kur ka dhënë një dëshmi të ngjashme, Basha u paraqit në prokurori.