Prokuroria do të marrë si të pandehur kreun e PD-së Lulzim Basha për çështjen e kontratatve të lobimit në SHBA në periudhën zgjedhore të 2017. Kryedemokratit i është dërguar ditën e djeshme një fletë-thirrje për t’u paraqitur ditën e hënë, më 17 qershor në orën 09:30, në prokurorinë e Tiranës ku do i komunikohet edhe zyrtarisht akuza që është ngritur kundër tyre.
Në shkresën e firmosur nga prokurorët e çështjes Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kole Hysenaj, theksohet se nëse Basha së bashku me Ristanin dhe Dervishin nuk paraqiten do të shoqërohet me forcë.
Prokuroria bën me dije se Basha do të pyetet në lidhje me këtë çështje në cilësinë e të pandehurit, ndërsa janë të proceduar edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, të cilët sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve.
Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarësh në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017. Pak muaj më parë, prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, një kompani e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.