Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës për skemat e reja të mbështetjes financiare të fermerëve.
Sipas Ramës “të punosh tokën” mund të kthehet në një biznes fitimprurës, nga i cili mund të fitosh më shumë se sa një rrogë shteti.
Por kreu i qeverisë tha se është e domosdoshme që të njerëzit të informohen dhe pajisen me dije.
“Duhet të largohet kjo ide se kush merret me tokën e kush merret me përpjekjen për të jetuar përmes tokës thjeshtë mbush barkun me bukë.
Kur unë vizitoj ndonjë shtëpi në fshat që e publikoj në Facebook-un tim, më thonë komentuesit: I le pa bukë. Nuk ka fermer të varfër në Europë. Është biznes si gjithë të tjerët.
Ne jemi në një fazë që po shkojmë drejt kësaj por jemi ende larg kësaj. Siç është biznes është edhe dije. Është një profesion që mund të fitoni shumë më shumë se sa thjeshtë një rrogë shteti. Duhet të shfrytëzoni dijen dhe pasionin tuaj në funksion të një procesi që të çoni paratë që kemi programuar për bujqësinë në duart e fermerëve.
Franca e Gjermania nuk janë më të përparuara se kanë më shumë, por se dinë më shumë. Vendet që kanë nevojë për më shumë, marrin më pak, jo se janë më të dobëta por se dinë më pak. Ne duam të rrisim kapacitetin e dijes në këtë moment.
T’i themi fermerëve që ja ku i keni fondet dhe hajde merrini. Po nuk i marrin dot pa u informuar. Unë kam qenë dhe jam i paduruar që të shkrihen drejtoritë e bujqësisë dhe të zëvendësohen nga struktura informimi që janë pranë fermerëve,” tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, fermerët duhet të kultivojnë ato kultura që kërkohen nga tregu, në mënyrë që prodhimet e tyre mos mbeten stok.
“Në zonën e Korçës ka një problem, ka mbiprodhim të patates, por nuk ka treg. Dhe kthejnë sytë nga qeveria, a thua se qeveria do t’u blejë patatet. Kjo është ekonomi tregu.
Mbjellin të gjithë patate dhe u ngelet pa shitur. Në treg patatja e tyre del në një moment kur preferohet patatja e Kukësit, dhe në një kohë kur del patatja e Myzeqesë. Ndaj duhet të heqin dorë nga kultivimi i patates. Ata duhet të kultivojnë kulturat që kërkohen nga tregu”, u shpreh kryeministri Rama.
Discussion about this post