Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Korçë kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Drinks”, me qëllim goditjen e kontrabandës me mallra që i nënshtrohen akcizës.
Operacioni u organizua në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore. Gjatë veprimeve në terren, në aksin rrugor “Kapshticë – Bilisht”, shërbimet e Policisë ndaluan një automjet me drejtues shtetasin Andon Llazar, 53 vjeç, banues në Korçë.
Nga kontrolli i ushtruar në automjet u sekuestrua një sasi pijesh alkoolike, të cilat dyshohet se janë futur në mënyrë të paligjshme nga Greqia, pa kryer procedurat doganore.
Në përfundim të veprimeve hetimore:
-
U arrestua në flagrancë shtetasi Andon Llazar, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”.
-
U referuan materialet në Prokurori për nisjen e procedimit penal për veprën “Shpërdorimi i detyrës” ndaj tre punonjësve të Degës Doganore Kapshticë, shtetasit K. P., 45 vjeç, A. G., 61 vjeç dhe R. M., 40 vjeç, të cilët dyshohet se kanë lejuar hyrjen e mallrave pa kryer zhdoganimin sipas ligjit.
Pijet alkoolike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.