Policia njofton se ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Korçë, ku një grua u gjet e pajetë në banesën e saj. Policia ka arrestuar djalin e 80-vjeçares, 64-vjeçarin me iniciale N. D,. si autor të ngjarjes. Policia e Korçës sqaron se gruaja është goditur me sende të forta në kokë, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Njoftimi i policisë
Policia zbardh ngjarjen e ndodhur në datë 04.03.2019, ku shtetasja N.D., gjeti vdekjen në banesën e saj.
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në vijim të kryerjes së veprimeve të mëtejshme proceduriale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, bënë arrestimin në flagrancë të djalit të saj, shtetasit N.D, 64 vjeç, banues në Korçë.
Arrestimi i tij u bë pasi, në banesë, ky shtetas dyshohet se ka goditur me sende të forta në kokë dhe trup, nënën e tij N.D., 84 vjeçe, e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.
Materialet i kaluan Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.