Policia e Korçës ka dhënë një njoftim në lidhje me të moshuarin që ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Fillimisht u raportua se në banesën e tij kishin hyrë grabitës për të vjedhur dhe u tha se në vjedhje e sipër goditën 81-vjeçarin duke e bërë për spital.
Mirëpo policia ka bërë një kontroll në banesën e të moshuarit duke konstatuar se dritaret dhe dera e banesës nuk janë dëmtuar. Nga ana tjetër, në tavolinë janë gjetur pije alkoolike dhe dyshohet se në gjendje të dehur mund të jetë konfliktuar me dikë brenda banesës.
Sakaq, anës pallatit janë konstatuar edhe gjurmë gjaku, mendohet të autorit që edhe ai mund të jetë plagosur. Gjendja e rënduar e 81-vjeçarit në spital e bën të pamundur marrjen e tij në pyetje.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Më datë 08.02.2024, rreth orës 07:05, spitali i Korçës ka njoftuar sallën operative të DVP Korçë se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi G. T., rreth 81 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Korçë.
Menjëherë në banesën e 81-vjeçarit ka shkuar grupi hetimor, i cili ka konstatuar se as dera e banesës dhe as dritaret e saj, nuk janë të dëmtuara. Nga këqyrja e banesës, si dhe nga sendet dhe provat e gjetura dyshohet se 81-vjeçari mund të jetë konfliktuar me ndonjë shtetas që e ka patur në banesë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të dëmtimit të shtetasit dhe identifikimin e autorit të dyshuar pjesëmarrës në banesën e të dëmtuarit.
Për këtë ngjarje pas sqarimit të të gjitha rrethanave të mekanizmit dhe motiveve do të kemi një njoftim të plotë.