Kreu i Urgjences Kombetare, Skënder Brataj ka qenë i ftuar këtë të martë në studion e Fax News përballë moderatorit Rezeart Xhaxhiu për të folur mbi situatën pandemike në vendin tonë dhe mënyrën si u menaxhua.
Sipas Sëkndër Bratajt, vendosja e karantinës në fillim të pandemisë vitin e shkuar e ka shpëtuar vendin tonë, pavarësisht shumë kritikave që vijnë për këtë vendim.
“Vendimet e Komitetit? OBSH e përdorim si udhërrëfyes. Gjithmonë jemi bazuar në shkencë. Shqipëria ka pasur një model të vetin që e praktikoi. Shqipëria filloi me karantinën, që shumë e kritikojnë por unë them që na shpëtoi, dhe vazhdoi me një model masash të mesme. Rezultati u pa. Shqipëria ka disa karakteristika ndryshe nga bota. Në radhë të parë ka një mesatare moshe popullsie më të re. Së dyti ka pasur një sistem të vazhdueshëm vaksinimi”, tha Brataj.
I pyetur përse Shqipëria është kaq liberale ndaj turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë, Skënder Brataj thotë se ne jemi një vend i vogël dhe turizmi është shumë i rëndësishëm për ne.
“Ne jemi një vend i vogël. Po ta marrësh nga ana ekonomike, mbështetet sidomos te turizmi. Fakti që ne krijuam modelin tonë, ju kujtohet lufta e testeve, që çfarë solli? Në një fare momenti u pa që testet nuk ishin të sigurta, sepse kishte shumë persona që ishin asimptomatikë që nuk dilnin të infektuar. Europa e pagoi shumë herë më keq”, u shpreh Brataj.
Stinën e verës Brataj e konsideron si aleatin tonë. Më tej, kreu i Urgjencës shpjegoi dhe disa nga simptomat e variantit Delta, që sips tij është shumë i ngjashëm me gripin.
“Gjatë verës do të shkojnë kështu. Vera është aleati jonë. Një numër shumë i madh e ka kaluar. Për fatin e mirë kemi mbi 1 milionë vaksina. Jemi në kushte krejt ndryshe dhe prandaj jemi më të qetë. Ky variant i ri përhapet më shpejt. Dihet se po qe se kap një person që nuk e ka kaluar sëmundjen do të shkaktojë simptoma. Është si puna e gripit. Tipike është rrufa. Edhe vetë gripi atë të shkakton. Numrat reale nuk janë ato, sepse shumë njerëz që kanë simptoma që nuk kërkojnë ndihmë fare“, përfundoi ai.
(E.H/Faxweb.al)