Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Bashkimit Europian për të shtyrë pa afat tryezat ndërqeveritare për hapjen e dy grupeve të kapitujve për Shqipërinë. Ajo theksoi se ky vendim është një tjetër provë e dështimit të qeverisë Rama në përmbushjen e kushteve për integrimin europian të vendit.
Në deklaratën e saj, Xhixho ka akuzuar qeverinë për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe manipulim të drejtësisë, duke e cilësuar këtë si pengesën kryesore në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Deklarata e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, znj. Erisa Xhixho
Të nderuar qytetarë,
Pak ditë më parë, qeveria “Rama” mori një tjetër shuplakë nga Bashkimi Europian. Vendimi për të shtyrë pa afat tryezat ndërqeveritare për çeljen e 2 grupkapitujve të radhës për Shqipërinë është prova e radhës se keqqeverisja po e pengon vendin në rrugëtimin europian. Ndërsa në Tiranë propagandohet me zhurmë progres në ecurinë e negociatave, Brukseli vijon t’i mbyllë derën Tiranës dhe arsyeja është e qartë: kushtet nuk janë plotësuar nga qeveria e Edi Ramës.
Çfarë po e pengon Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Europës?
Korrupsioni i shtrirë në çdo degë të qeverisjes qendrore e vendore, që ka çuar në burg gjysmën e zyrtarëve të Edi Ramës, bashkëpunimi me krimin e organizuar që e ka kthyer vendin në lavatriçe të parave të pista dhe vënia e drejtësisë nën kontrollin dhe urdhrat e drejtpërdrejtë të kryeministrit.
Nuk është aspak e rastit që ky vendim vjen pikërisht në momentin kur Edi Rama po përpiqet t’i joshë shqiptarët me premtimin bosh të pasaportës europiane.
Një qeveri që e ka zhytur vendin në varfëri, që ka detyruar të largohet gati gjysmën e popullsisë dhe që i ka vënë pasuritë publike në shërbim të një grushti njerëzish nuk mund të jetë kurrsesi pasaporta e Shqipërisë në Europë.
Është paradoksale që një qeveri që nuk ka mundur të mbajë as premtimin për ujë 24 orë, bërë para 12 vitesh, t’u premtojë shqiptarëve se do t’u japë në dorë pasaportën europiane.
Edi Rama mashtron hapur me premtimin e pasaportës europiane, duke ushqyer iluzionin e lëvizjes së lirë të krahut të punës me anëtarësimin në BE. Është e gjitha gënjeshtër! Mashtrimi i tij i ri elektoral do të ndëshkohet me votë më 11 maj, së pari nga mijëra emigrantë që janë larguar për shkak të qeverisjes së tij të dështuar, por edhe nga mijëra të tjerë që vuajnë çdo ditë pasojat e saj.
Shqiptarët e kanë sot të qartë se, me Edi Ramën, kurrë nuk do të ketë Bashkim Evropian për Shqipërinë. Sepse nëse do të prisnim atë ditë me Edi Ramën në pushtet, asnjë shqiptar s’do mbetej më në këtë vend.
Kushti i padiskutueshëm që qeveria duhet të plotësojë në mënyrë emergjente janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Përmes tyre, shqiptarët do të mund të zgjedhin mes stanjacionit 10-vjeçar në ecurinë e negociatave apo një programi qeverisës që garanton më së pari një Shqipëri ku mund të jetohet.
Zgjedhjet e 11 Majit janë një test i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rrugëtimin evropian të saj pasi garantimi i zgjedhjeve te lira dhe te ndershme mbetet kushti numër 1 për avancimin drejt BE. Përmes tyre, shqiptarëve do t’u jepet mundësia të votojnë alternativën më të mirë, atë që garanton një model të ri ekonomik, një luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbi të gjitha shtet ligjor.
Programi ynë me pesë prioritete për 4 milionë shqiptarë do të shtrojë rrugën për një Shqipëri që ecën me hapa të sigurt drejt Bashkimit Europian. Demokracia dhe shteti i së drejtës janë të panegociueshme për Bashkimin Europian dhe ne kemi të gjithë vullnetin, energjinë dhe ekipin që do ta përshpejtojmë udhëtimin e Shqipërisë drejt tij duke ndërtuar standarde europiane në vendin tonë.