Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar të martën se rruga evropiane e Kosovës varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe jo “përmes veprimeve të njëanshme”.
Gjatë një debati të zhvilluar në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos ka thënë, gjithashtu, se Komisioni është i gatshëm të përgatisë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli.
Kosova pati aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Sa ka folur për Kosovën, Kos ka bërë thirrje edhe për formimin e shpejtë të institucioneve, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Një qeveri funksionale dhe një Kuvend janë të domosdoshëm që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, ka thënë mes tjerash ajo.
Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Më 2 qershor Kuvendi ka dështuar që të konstituohet për të 25-ën herë.
Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e votimit për kreun e ri të parlamentit, dhe për propozimin e LVV-së për këtë pozitë, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.