Kosova prej një viti e gjysme po planifikon të nisë me prodhimin e municioneve 5.56mm dhe 7.62mm që të jenë markë shtetërore. Planet për prodhimin e municioneve kanë ardhur pas marrëveshjes me kompaninë shtetërore turke, “Makine ve Kimya Endustrisi” për ndërtimin e fabrikës. Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci në një intervistë për Top Channel ka bërë me dije se tashmë, kompania turke ka nisur me prodhimin e pajisjeve që janë të nevojshme.
“Tashmë pas nënshkrimit të kontratës kompania prodhuese turke ka filluar pra prodhimin e makinerisë së nevojshme për prodhimin e municioneve. Nuk mund ta jap saktë kohën, por çka mund të them është më shumë se një vit e më pak se dy vite koha kur ne do të kemi mundësinë të shohim prodhimin e municioneve të para në Republikën e Kosovës”, tha Maqedonci.
Ministria e Mbrojtjes më tej shtoi se janë në kërkim të një lokacioni për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e municionit. Gjithashtu Maqedonci shtoi se Kosova është duke negociuar me disa shtete për të nisur edhe themelimin e laboratorit për dizajnimin e dronëve.
“Për çështjen e laboratorit për dizajnimin e dronëve, ne jemi duke analizuar edhe vende të tjera, kemi pasur informacione të ndryshme për mundësi për laboratorë të tillë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe vende të tjera, nuk jemi të kufizuar në Republikën e Turqisë”, tha ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës në fund të vitit 2025 hyn në fazën e fundit të tranzicionit që dhe shndërrimin në ushtri të gatshme për të zhvilluar operacione për mbrojtjen e territorit. Në këtë fazë parashihet ndërtimi i kapaciteteve luftarake të forcës, që sipas ministrit një pjesë janë arritur të tilla si furnizimi me sistemin Javelin.
“Sistemet anti tank që kemi prokuruar nga Republika e Turqisë dhe ato që kemi prokuruar gjithashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sistemi Javelin dhe nga Gjermania dhe vendet e tjera. Jemi në diskutime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për liferimin e një pjese të sistemeve Javelin gjatë vitit 2025, për të vazhduar edhe me pjesën tjetër në vitet në vazhdim”, deklaron ai.