Analisti Agim Krasniqi, ka komentuar për Fax News nga Kosova në lidhje me situatën politike atje, ku një natë më parë Kuvendi miratoi me 82 vota rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit.
Krasniqi ka përmendur raportet e Kosovës me Amerikën për të cilat tha se janë të paprekshme pavarësisht se pranoi se ka një polarizim tre palësh ku nga njëra anë spikasin SHBA-të dhe BE dhe nga ana tjetër, Beogradi me politikën e saj destruktive.
Rënien e qeverisë e konsideron si pjesë e një procesi demokratik edhe për mënyrën se si ndodhi, ndërsa ka bërë apel për unifikim të qëndrimeve të politikanëve në të gjitha trevat shqiptare për orientimin e tyre të përbashkët dhe përfundimtar.
“Nga këndvështrimi im e gjithë kjo ecuri është pjesë e demokracisë dhe sistemeve politike, por në situatën aktuale nuk duhej të ndodhte sepse jemi duke u ballafaquar me pandeminë dhe ka shkaktuar një pakënaqësi tek qytetarët. Shpresoj që të mos ketë pasoja afatgjata”, tha ai gjatë bisedës me gazetaren Xhilda Kondi.
Pjesë nga biseda:
Franca dhe Gjermania ishin kundër mocionit, SHBA e mbështeti, si e komentoni?
Krasniqi: Skena politike në Kosovë përbëhet nga tre elemente, 2 janë SHBA dhe BE, e treta janë forcat dekonstruktive që vijnë nga Beogradi. Në kohën që Kosova është në finalizimin e pranimit si shtet, ne kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga SHBA, por ka një luftë dhe konkurencë mes SHBA dhe BE. Duke e ditur se determinues të Kosovës janë SHBA dhe jo vetëm tani, politika e Kosovës duhej të orientohej drejt saj. Akoma për fat të keq ka një polemikë midis raporteve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk është kurrë e vërtetë se amerikanët duan ta ndajnë Kosovën dhe kush e njeh politikën e saj e kupton që Kosova është projekt amerikan dhe nuk mund të dështojë në formën që e trumbetojnë disa qarqe duke ndjellur opinion anti-trempist tek shqiptarët. Nuk duhen lejuar të ndërhyjnë elementet desktriktive. Janë marrëdhënie shekullore. Jam optimist se çdo gjë do të vihet në binarët normal. Çdo gjë është e menaxhueshme dhe çdo gjë do të jetë e kapërcyeshme.
A mund të ishte shmangur për më vonë mocioni i votëbesimit duke marrë parasysh situatën kritike me pandeminë globale që ka prekur edhe Kosovën?
Krasniqi: Mendoj se duhej të shmangej, por nuk e shikoj si problem sepse besoj se deri në zgjidhje të një situate dhe të vijë një kryeministër i ri qeveria në detyrë do të menaxhojë situatën me pandeminë.
Cili ëstë reagimi i qytetarëve për këtë vendim?
Krasniqi: Në opinionin publik nuk është pritur mirë, parlamentarizmi është votë dhe privohet nga qytetarët. Këtë politika duhet ta kuptojë. Por unë e shoh si diçka të tejkalueshme dhe demokratike. Ishte edhe vetë procesi dje një qasje demokratike. Ne duhet ta kuptojmë se demokracia nuk është e lehtë për t’u stabilizuar, jemi një shoqëri e re dhe e traumatizuar. 20 vjet kemi dalë nga lufta dhe nuk e kuptojmë akoma elitën politike që do ta krijonte këtë frymë. Partnerët ndërkombëtarë e dinë këtë. Ata që nuk ia duan të mirën e pengojnë dhe do vijojnë ta bëjnë, por duhet të jemi me interesa shtetërore dhe kombëtare mbi ato partiake.
Si e parashikoni të ardhmen e klasës politike atje?
Krasniqi: Kurti mendoj se ka shfrytëzuar një situatë pakënaqësie të qytetarëve, të një qeverie jo shumë të mirë me politikat ekonomike, por ka qëlluar edhe përmes kritikimit të problemeve që ka demokracioa. Kërkesat populiste po e dëmtojnë brumin e demokracisë por kjo është mundësi e mirë që skena politike në Kosovë të fuqiszohet. Është në proces të konsolidimit të demokracisë sepse kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga partnerët. Shqipëria mori çelsin e negociatave dhe nuk do bëhej kurrë pa mbështetjen e SHBA. Por duhet filtruar klasa politike në gjithë trojet shqiptare, të ndërtojmë një platformë unikale dhe të dimë se nga po orientohemi kudo në trevat tona. Duhet të vijnë protagonistë të rinjë politik.
(F.GJ/FAXWEB.AL)