Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar mbrëmjen e sotme për sa i përket tensioneve në veri të Kosovës, pasi kjo e fundit filloi zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit për targat.
Në një postim në Tëitter, Basha thotë se Kosova është shtet i pavarur dhe sa më shpejt që Beogradi ta pranojë këtë aq më mirë.
Pra sipas Bashës, marrëdhëniet funksionojnë në bazë të reciprocitetit, prandaj dhe ajo që po bën Kosova nuk ka asgjë të keqe.
Basha ndër të tjera akuzon Aleksandër Vuçiç se ka për qëllim të fshihet pas fallsitetit të iniciativës së Novi Sadit.
“Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti.
Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.
Qëndrimet e Beogradit ndaj vendimit legjitim dhe që nuk cënon asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel nga qeveria e Republikës së Kosovës, zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiç dhe fshehjen pas fallsitetit të iniciativës së Novi Sadit”, theksoi Basha.
(E.H/Faxweb.al)