Ish-kreyministri Sali Berisha ka prekur gjithashtu situatën aktuale të Kosovës referuar edhe politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon dhe botë.
Ai risolli në vëmendje vizitën e parë zyrtare të kryeministrit Rama në Beograd, duke komentuar jo arsyen pse shkoi por mënyrën si shkoi. Berisha e akuzoi kreun e Qeverisë për mashtrim, lidhur me çështjen e njohjes së diplomave për të arsimuarit e Preshevës.
Sipas ish-kryeministrit, Aleksandar Vuçiç është kryeministri që Rama ka takuar më tepër.
“BE ka detyrimin kryesor për imponimin e zbatimit të marrëveshjes. Që në fillim kam insistuar që partner krahas BE-së të jenë SHBA-të. Po pse tani gjetën momentin për të lëshuar një nismë pa doreza, mbase për shkak të rritjes së peshës së Rusisë.
Këtu luan rol faktori shqiptar, që ka dëshmuar përcaktimin për paqen dhe mirë ka bërë, por nga ana tjetër duhet të analizonte çdo lëvizje të Serbisë në çdo aspekt, ndaj të gjitha marrëveshjeve. Cili është raporti i Tiranës me Beogradin, e lemë Kosovën.
Tirana paraqiti kërkesën për njohjen e diplomave, synimi im ishte Presheva. A e ka filluar atë marrëveshje, deri tani jo. Mashtrimi i Edi Ramës është më i turpshëm, se u firmos. Tani një djali nga Presheva i duhet një proces i gjatë për njohjen e diplomës.
Megjithëse Rama u zotua se çdo gjë ka marrë fund. Këtu në parlament, kam denoncuar qëndrimin e Ramës, jo pse shkoi në Beograd. Por mënyra se si shkoi dhe teatraliteti, folkloristi dhe gradomania, unë kuptova se po shkelmohen interesat e Kosovës.
Vuçiç është kryeministri që Edi Rama ka takuar më shumë përveç Papandreut. Cfarë ndodh? Niset treni.”, u shpreh Berisha.
Në vijim, duke u ndalur konkretisht tek situata në Kosovë, ish-kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje Kosovës që të mbrojë territorin e larë me gjak. Ndryshe nga deputeti Ben Blushi, ai shprehu mendimin që nuk duhet të bashkohen vetëm Shqipëria me Kosovën , por të gjithë shqiptarët:
Kush e ndërtoi murin? E ka ndërtuar Beogradi, Kosova ta shkatërrojë një minutë e më parë, t’i dalin zot territorit të tyre të larë me gjak. Pastaj nxorrën kokën me Haradinaj. A e dini ju që Haga me 300 milionë buxhet është ngritur vetëm për Kosovën. E fundit, marshi mbi Kosovën, me 21 gjuhë.
Ne ndaj çdo agresioni ndaj shqiptarëve do reagojmë si komb i vetëm. Blushi u shpreh se nëse ndodh kjo do bashkohet Kosova me Shqipërinë, jo absolutisht, të bashkohen të gjitha territoret shqiptare, pse do I lemë ne ata, të lopës janë ata? Shqiptarët duhet të bëjnë çdo gjë për t’u bashkuar.
Unë kërkoj nga parlamenti të marrë në mënyrë më serioze politikën e jashtme. Të shqyrtojë me vëmendjen më të madh çdo hap në politikën e jashtme të këtij vendi.” (XH.A/SHUPLAKA)