Në rrugën e saj drejt integrimit europian, Serbisë do ti duhet që të përballet me një kusht të vështirë që i është vendosur nga BE.
Nëse zgjidhja e konfliktit me Kosovën ishte njohur deri më tani si kushti i vetëm, sipas detajeve më të fundit thuhet se për gjermanët kusht më i rëndësishëm mbetet raporti me Rusinë.
Ka qenë deputeti i CDU-së në Bundestagun gjerman, Thorsten Frei, ai që ia ka bërë të qartë kushtin përfaqësuesve të qeverisë serbe.
“Është me rëndësi bashkëpunimi brenda BE-së në raport me sigurinë dhe është me rëndësi që Unioni të bashkëpunojë sa më shumë në raport me vendet tjera. Në pikëpamje të politikës së jashtme, nuk është e mundur të ulesh në dy karrige. Kjo është një nga pikat vendimtare”, ka thënë Frei para një delegacioni të gazetarëve serbë në Berlin, duke shtuar se për integrim është i domosdoshëm edhe zgjidhja e problemit mes Serbisë dhe Kosovës
Josip Juratovic, përfaqësues i SPD-së në Bundestag, ka siguruar gazetarët serbë se Gjermania të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të tërë rajonit në BE. Por jo me çfarëdo çmimi.
“Nuk mundeni (të anëtarësoni) pa raporte të mira ndërfqinjësore. Këto probleme nuk mund t’i bartim në BE. Për këtë arsye kufijtë duhen zgjidhur. E kam dëgjuar këtë tezë, se problemi mes Serbisë dhe Kosovës mund të zgjidhet si ai i Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore.
Për këtë s’kemi diskutuar. Kjo tezë është një prej mundësive, por duhet ta pranojnë Serbia dhe Kosova. Mund të jetë kjo një lloj marrëveshjeje. Serbia nuk ka nevojë të tërhiqet nga Rusia, as ne nuk tërhiqemi. Shpresojmë se atje do të formohet një sistem i cili do t’i respektonte të gjitha të drejtat e njeriut ne kërkojmë partner në Rusi, dhe natyrisht se edhe Serbia do ta ketë këtë të drejtë”, ka thënë Juratovic.
(E.K/FAXWEB)